Thursday, December 2, 2021

SHBA Vendos Sanksione të Reja mbi Sektorin e Ndërtimit të Regjimit Iranian

Shkruar nga Mansoureh Galestan më 01 nëntor 2019.

Të enjten, Shtetet e Bashkuara vunë sanksione mbi sektorin e ndërtimit të regjimit iranian si dhe mbi tregtinë e katër materialeve që përdoren në programet ushtarake apo bërthamore të regjimit.

Departamenti i Shtetit tha se Sekretari i Shtetit Mike Pompeo ka arritur në përfundimin se sektori i ndërtimit i regjimit iranian kontrollohet direkt ose indirekt nga Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) të regjimit, të cilin Uashingtoni e ka etiketuar si organizatë të huaj terroriste në prill 2019. 

“Si rezultat i këtij vendimi, shitja, furnizimi, apo transferimi në Iran apo nga Irani, i metaleve të papërpunuara apo gjysmë të përpunuara, grafitit, qymyrgurit, dhe programeve për qëllime integruese industriale do të sanksionohen nëse këto materiale përdoren në sektorin iranian të ndërtimit,” thotë Departamenti i Shtetit në një fletë faktesh. 

Departamenti i Shtetit shton se me këto veprime të fundit, SHBA po “vazhdon fushatën për maksimizimin e presionit ekonomik” mbi regjimin iranian. “Kjo fushatë ka për qëllim ta ndryshojë me themel sjelljen e regjimit iranian, t’ia bllokojë atij çdo shteg drejt një arme bërthamore, dhe t’i japë fund sponsorizimit shtetëror që Irani i bën terrorizmit dhe veprimtarive të tij keqdashëse në rajon.” 

Më herët këtë javë, SHBA dhe gjashtë vende të Gjirit Persik ranë dakord për të vënë bashkërisht sanksione mbi 25 korporata, banka dhe individë të lidhur me mbështetjen e regjimit iranian për rrjete militante si Hezbollah.