Friday, March 29, 2024

Iranianët Festojnë Natën Yalda Pavarësisht Errësirës së Covid-19 dhe Ajatollahëve

 

Mesazhi i Yalda për iranianët që e kremtojnë këtë festë tradicionale: Një e ardhme e ndritur është në horizont.

Çdo vit, familjet iraniane mblidhen në shab-e yalda [në natën e Yalda-s] për të festuar “natën më të gjatë e më të errët të vitit.” Sipas kalendarit gregorian, kjo festë korrespondon me natëne 20-21 dhjetorit. Për iranianët, Nata e Yalda-s është një kohë për t’i harruar vështirësitë dhe dilemat e tyre të përditshme dhe për të vizituar familjarët e tyre më të moshuar.

Rregullisht, familjet e festojnë Natën e Yalda-s në shtëpitë e gjyshërve. Krahas ofrimit të frutave, arrave dhe ëmbëlsirave tradicionale, gjyshërit rrëfejnë tregime interesante dhe lexojnë poezi të Hafez-it, poetit më të famshëm iranian, deri pas mesnatës. Në fakt, në Natën e Yalda-s, iranianët festojnë simbolikisht fundin e errësirës dhe të ftohtit dhe bëhen gati për mëngjesin e ngjyrave dhe jetës.

Këtë vit, shpërthimi i koronavirusit i ka privuar iranianët nga kjo festë tradicionale. Me rreth 190,000 vdekje nga Covid-19 në mbarë vendin, është e udhës të shmangen grumbullimet për të mos vënë në rrezik jetën e shumë njerëzve.