Wednesday, January 26, 2022

Spiuni i Teheranit i arrestuar në Suedi: Një Kujtesë e Zymtë për Terrorizmin e Rrënjosur në Europë

Gazetat suedeze, duke përfshirë Aftonbladet dhe Expressen, raportuan se një ish shef i policisë suedeze të sigurimit u arrestua për spiunim në emër të regjimit iranian ndërmjet viteve 2011 dhe 2015. Arrëstimi i tij thekson përsëri nevojën për një aksion të përbashkët europian që të adresojë terrorizmin e regjimit iranian. Siç është identifikuar nga faqet lokale dhe ato në gjuhën perse, spiuni i arrestuar është Peyman Kia, 40 vjeç. Ai kishte siguruar shtetësi suedeze dhe punonte si drejtor në Policinë Suedeze të Sigurimit (SPO) dhe si analist në një organizatë ushtarake suedeze ndërkohë që spiunonte për Teheranin.

Kia u arrestua të hënën. Të enjten, gjykata vendosi të jepte urdhër ndalimi për këtë person, me akuzat e abuzimit të rëndë dhe të paligjshëm të postit të tij si person me akses në informacione të klasifikuara dhe dhunimit të sigurisë kombëtare, në mënyrë që ai të mos mund të shkatërronte dokumente apo të arratisej. Personi i arrestuar akuzohet për spiunazh për arsye të kuptueshme, sipas një deklarate të Shërbimeve Suedeze të Sigurimit. Arrestimi i tij vjen një muaj pas arrestimit të një çifti iranian, i cili kishte marrë status refugjati në Suedi duke paraqitur një identitet të rremë afgan. Ata ishin agjentë të Ministrisë së Inteligjencës dhe Sigurimit (MOIS) të regjimit.

Në shkurt 2021, një gjykatë në Anversa të Belgjikës, dënoi Assadollah Assadi-n dhe tre bashkëpunëtorët e tij me pothuajse 70 vjet burg gjithsej, për tentativën për të shpërthyer një bombë në tubimin e opozitës iraniane në 2018-ën në Francë. Assadi ishte një diplomat-terrorist me bazë në Vjenë, i cili i kishte përdorur privilegjet e tij diplomatike për të kontrabanduar 500 gramë lëndë eksplozive TATP drejt Europës, të cilat ia kishte dorëzuar dy operativëve të tij, Amir Sadouni dhe Nasimeh Na’ami. Sadouni dhe Na’ami, së bashku me operativin tjetër Mehrdad Arefani, kishin marrë shtetësi belge dhe shtireshin si mbështetës të lëvizjes opozitare iraniane.

Gjykimi dhe dënimi i Assadi-t theksoi edhe njëherë atë që Rezistenca Iraniane e kishte thënë për vite të tëra: ambasadat dhe diplomatët e regjimit po promovojnë terrorizmin dhe spiunazhin. Gjatë gjyqit të Assadi-t, autoritetet e Gjermanisë, ku Assadi ishte arrestuar në 2018, hapën një çështje tjetër për një rrjet terrorizmi dhe spiunazhi që ai e kishte menaxhuar nëpër Europë. Zyrtarët gjermanë gjetën në makinën e Assadi-t një fletore me informacione të rëndësishme rreth komplotit me bombë të 2018-ës, udhëtimeve të Assadi-t, dhe shumave të parave që ai u kishte dhënë operativëve të ndryshëm.