Tuesday, March 31, 2020

Flota Amerikane Kap në Detin Arabik Anijen me Armë të Fshehura që Dyshohet se Vijnë nga Irani

13 shkurt 2020 19:55 GMT

Kjo dërgesë armësh e komponentësh të avancuar është kapur në Detin Arabik në një mjet lundrimi pa shtetësi.

Flota Amerikane thotë se ka kapur armë e komponentë armësh të avancuara që besohet se janë “projektuar e prodhuar” në Iran dhe që do t’u dërgoheshin rebelëve Huthi në Jemen.

Armët e fshehura, që përfshijnë mbi 150 raketa anti-tank Dehlavieh dhe tre raketa iraniane sipërfaqe-ajër, janë kapur në Detin Arabik në një mjet lundrimi pa shtetësi gjatë një operacioni detar më 9 shkurt.

“Komponentët e tjerë të armëve të gjetura brenda anijes ishin të projektuara e të prodhuara në Iran dhe përfshinin tre raketa iraniane sipërfaqe-ajër, pajisje iraniane për imazh termal, si dhe komponentë iranianë për mjete ajrore e sipërfaqësore pa pilot” thotë deklarata e bërë më 13 shkurt.

Nuk thuhet se të çfarë lloji ishin raketat sipërfaqe-ajër.

Deklarata vë në dukje se shumë prej municioneve të kapura gjatë fundjavës nga USS Normandy ishin të ngjashme me armët dhe komponentët e kapur në nëntor nga ekuipazhi i USS Forrest Sherman.

Është përcaktuar që armët e kapura në nëntor do të shkonin për Huthi-t, sipas ushtrisë amerikane. Huthi-t e mbështetur nga Irani kanë pesë vite që luftojnë kundër forcave të Arabisë Saudite në Jemen.

Rebelët kanë përdorur dronë dhe mjete sipërfaqësore për të sulmuar forcat saudite në të shkuarën, duke përdorur pajisje që, sipas ekspertëve ushtarakë amerikanë, vijnë nga Irani.

Dërgesa e armëve që është kapur në fundjavë do të shkelte një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila ndalon “dhënien, shitjen apo transferimin direkt apo indirekt të armëve tek Huthi-t,” thotë deklarata.

Bazuar në raportime nga Reuters, USNI News, dhe Bloomberg