Thursday, March 28, 2024

Forumi i Biznesit Europë-Iran u Jep Legjitimitet Zyrtarëve Iranianë në Kohën më të Keqe

Josep Borrell, kreu i politikës së jashtme në Bashkimin Europian, ka konfirmuar së fundmi se do të marrë pjesë në Forumin e Biznesit Europë-Iran në fillim të marsit. Borrell do të mbajë një fjalim të rëndësishëm në këtë konferencë online, ndërsa një tjetër fjalim do të mbahet nga Ministri i Jashtëm i Iranit, Javad Zarif. Këto plane kanë ndezur tashmë zemërim midis kritikëve të regjimit iranian të cilët i kishin bërë thirrje Borrell-it dhe zyrtarëve të tjerë të lartë europianë që të merrnin masa specifike kundër Zarif-it, në vijim të dënimit më 4 shkurt të një diplomati të lartë iranian i cili kishte drejtuar një komplot të pasuksesshëm për të shpërthyer një bombë në tubimin e 2018-ës të emigrantëve iranianë në Francë.

Në një deklaratë që shpreh shqetësim lidhur me heshtjen europiane për sa i përket çështjes së këtij dënimi, Komiteti Ndërkombëtar në Kërkim të Drejtësisë (ISJ) e përshkruan Forumin e ardhshëm të Biznesit si një shembull të “kapitullimit katastrofik ndaj tentativave të regjimit iranian për të shpërthyer bomba e vrarë njerëz në tokën europiane.” Kjo deklaratë është nënshkruar nga ish-zyrtarë nga Britania, Italia, dhe Portugalia, së bashku me ish Zëvendës Presidentin e Parlamentit Europian, Alejo Vidal-Quadras, i cili tani shërben si kryetar i OJQ-së që fokusohet tek promovimi i të drejtave njerëzore dhe demokracisë në Iran.