Thursday, February 25, 2021

Gjyqi i Diplomatit-Terrorist të Regjimit Iranian, Assadollah Assadi, në Mediat Ndërkombëtare

 

Gjyqi i Assadollah Assadi-t, “diplomatit terrorist” të regjimit iranian, dhe tre bashkëpunëtorëve të tij të akuzuar për terrorizëm, nisi të premten më 27 nëntor në Anversa të Belgjikës. Këta katër persona janë të akuzuar për komplotin për të shpërthyer një bombë në tubimin ndërkombëtar “Irani i Lirë” në mbështetje të Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI) në rrethinat e Parisit më 30 qershor 2018. Seanca e ardhshme e gjyqit do të bëhet më 3 dhjetor 2020.

Ndërkohë që Assadi punonte si konsullor i tretë në ambasadën iraniane në Vienë, ai ishte gjithashtu zyrtar i lartë në Ministrinë famëkeqe të Inteligjencës dhe Sigurisë (MOIS).

Është hera e parë në histori që një diplomat iranian gjykohet për terrorizëm në Europë. NCRI dhe 24 pjesëmarrës të tjerë të eventit, duke përfshirë personalitete politike nga Europa dhe Amerika e Veriut, janë Palë Civile të kësaj çështjeje.

Prokurorët kanë theksuar rolin e regjimit iranian, sidomos të Ministrisë së Inteligjencës dhe Sigurisë, si një entitet terrorist dhe kanë shtuar se operacioni kishte për qëllim të shkaktonte numër maksimal vrasjesh.

Prokurorët në padinë e tyre i kërkojnë gjykatës ta dënojë Assadi-n me 20 vite, gjë që është dënimi maksimal sipas ligjit, dy prej të pandehurve që ishin caktuar për të shpërthyer bombën me 18 vite, ndërsa personin e katërt me 15 vite. Gjykatës i është kërkuar gjithashtu që ta heqë kombësinë belge për tre nga të pandehurit.

 

Diplomati Iranian Gjykohet në Belgjikë, i Akuzuar për Organizim Sulmi

27 nëntor 2020 – Një diplomat iranian dhe tre shtetas të tjerë iranianë filluan gjyqin në Belgjikë të premten, pasi dyshohet se kanë komplotuar për të shpërthyer një bombë në një tubim të 2018-ës të organizuar nga Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit (NCRI) me bazë në Paris, i cili është një grup opozitar në mërgim.

Prokurorët belgë e kanë akuzuar diplomatin e stacionuar në Vienë Assadolah Assadi dhe iranianët e tjerë për komplotin e dyshuar kundër këtij tubimi, ku folësi kryesor ishte avokati personal i Presidentit amerikan Donald Trump, Rudy Giuliani.

Assadi është arrestuar në Gjermani ndërkohë që ishte me pushime dhe i është dorëzuar Belgjikës.

Ai ka refuzuar të paraqitet në gjykatë në ditën e parë të gjyqit në Anversa, duke pretenduar imunitet diplomatik përmes avokatit të tij.