Friday, March 29, 2024

Heshtja Lidhur me Çështjen e Terrorizmit Iranian Reflekton Zakonet e Vjetra e të Rrezikshme të Politikës së Jashtme Europiane

 

Të mërkurën, Komiteti Ndërkombëtar në Kërkim të Drejtësisë nxori një deklaratë që qorton heshtjen europiane lidhur me dënimin nga një gjykatë belge të Assadollah Assadi-t, një diplomat i lartë iranian i cili ka drejtuar një operacion që kishte për qëllim shpërthimin e një bombe në një tubim masiv të emigrantëve iranianë pranë Parisit. Është një fatkeqësi e madhe që kjo organizatë e ka ndier nevojën për ta lëshuar këtë deklaratë, duke patur parasysh që nuk është e para e llojit të vet, dhe reflekton mospërfilljen me sa duket të qëllimshme ndaj këshillave politike që janë ofruar gjatë javëve të mëparshme nga dhjetëra parlamentarë e ish-zyrtarë të qeverive europiane.

Deklarata e re përsërit një argument që është përmendur shumë herë edhe gjatë gjyqit: “nuk mund të ketë asnjë dyshim që skandali terrorist i Assadi-t ka qenë i planifikuar dhe urdhëruar nga rangjet më të larta të regjimit, duke përfshirë Liderin Suprem Ajatollah Ali Khamenei, presidentin Hassan Rouhani, ministrin e jashtëm Javad Zarif dhe Ministrin e Inteligjencës Mahmoud Alavi.” Provat për këtë përfundim janë të shumta, dhe përfshijnë faktin e thjeshtë që Assadi, si konsullor i tretë në ambasadën e Iranit në Vienë, duhet të ketë patur kontakte të ngushta me diplomatë të rangjeve më të larta si vetë Zarif, dhe kjo e bën të pamundur që Ministria e Jashtme të mos ketë patur dijeni për veprimtaritë e tij.

Për më tepër, qëllimi i këtij komploti terrorist përputhej me një obsesion të vjetër të vetë regjimit iranian. Ai këkonte të pengonte eventin me rëndësi më të madhe simbolike të organizuar nga Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit (NCRI) dhe të vriste udhëheqësen e këtij koalicioni, Maryam Rajavi. Grupi kryesor përbërës i NCRI-së është Organizata Muxhahedine e Popullit të Iranit (PMOI-MEK), dhe në janar 2018, Khamenei e quajti publikisht këtë grup si forca kryesore shtytëse prapa kryengritjes që po zhvillohej atëherë kundër sistemit në pushtet. Që nga ajo kohë, zyrtarë të lartë iranianë i kanë paralajmëruar vazhdimisht mbështetësit e tyre për perspektivën e qartë për trazira të reja, dhe në nëntor 2019, një tjetër lëvizje protestuese e eklipsoi të parën, duke u përhapur menjëherë në gati 200 qytete të mëdha e të vogla.