Monday, July 26, 2021

Iran: BE Nuk Duhet ta Nënvlerësojë Rrezikun e Komploteve dhe Rrjeteve Terroriste Iraniane

terrorism

Kur lideri i Al-Qaeda, Osama bin Laden, u vra nga forcat amerikane në 2011-ën, në kompleksin e tij u gjet një turrë dokumentash të cilat zbulonin, mes të tjerash, detaje të bashkëpunimeve në disa raste midis kësaj organizate terroriste dhe regjimit iranian në vitet e mëparshme. Kjo binte në kundërshtim me idenë e krijuar mes politikë-bërësve perëndimorë, se këto dy entitete nuk do të bashkëpunonin kurrë për arsye se i përkisnin dy sekteve të ndryshme të Islamit.

Megjithatë, këto gjetje u shpërfillën gjerësisht, dhe ndërkohë që punonte për t’u shëruar nga vdekja e Bin Laden, Al-Qaeda ndiqte një marrëdhënie më të ngushtë e më të qëndrueshme me regjimin iranian. Katër vite më vonë, kjo marrëdhënie arriti në një pikë kthese ku Irani u bë baza kryesore e operacioneve për terrorizmin e Al Qaeda-s. Kjo situatë u nënvizua të martën nga Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo, në një fjalim.

Ky zbulim demonstron edhe një herë se Perëndimi ka patur për një kohë tepër të gjatë një përqasje të butë në politikën ndaj Iranit duke mbyllur njërin sy ndaj veprimtarive malinje të regjimit. Në mënyrë që ta kuptojmë këtë, na duhet thjesht t’i kthejmë sytë drejt Europës ku zyrtarë të lartë të politikës së jashtme vazhdojnë ta nënvlerësojnë kërcënimin që përbën  regjimi iranian, madje edhe pas ngjarjes ku një grup operativësh nën komandën e një diplomati të rangut të lartë tentuan të shpërthenin një bombë fare pranë Parisit.

Shënjestra e këtij komploti ishte koalicioni i opozitës iraniane, Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit, por në tubimin ndërkombëtar të NCRI në qershor 2018 merrnin pjesë edhe një larmi personalitetesh politike nga Europa, Shtetet e Bashkuara, dhe nga e gjithë bota. Fatmirësisht, dy personat që do ta shpërthenin bombën u arrestuan para se të kalonin kufirin nga Belgjiika në Francë, dhe diplomati në krye të këtij komploti, Assadollah Assadi, u arrestua një ditë më vonë.

Kjo treshe, plus një bashkëpunëtor i katërt, u hodhën në gjyq në nëntor, dhe verdikti për çështjen e tyre do të jepet nga gjykata federale belge më 4  shkurt 2021. Por kjo çështje ka marrë një vëmendje publike relativisht të vogël, të paktën po ta krahasosh me seriozitetin e krimit të mbetur në tentativë. Nuk është shumë dramatike të thuash se Bashkimi Europian është i vendosur ta hedhë pas krahëve domethënien më të gjerë të këtij komploti. Në fakt, kjo do të ishte në vazhdimësi me zakonet e vjetra tashmë të Perëndimit për ta nënvlerësuar kërcënimin që vjen nga “konservatorët” iranianë, nga frika se mos i armiqësojnë “reformistët” të cilët përfaqësojnë Iranin në negociatat ndërkombëtare si ato që çuan në paktin bërthamor të  2015-ës me Iranin.

Çmenduria e një përqasjeje të tillë ka qenë gjithmonë e qartë për ata që janë të familjarizuar me historinë e gjatë të sponsorizimit të terrorizmit nga Irani në mbarë botën teksa në të njëjtën kohë shtiret për perspektivën e bashkëpunimeve paqësore me kundërshtarët e vet. Politikë-bërësit perëndimorë nuk duhet të kishin rënë pre e kësaj hileje në ditët e para të regjimit iranian. Sigurisht që ata duhet ta kuptojnë këtë gjë tani që Irani ka bërë një tentativë të hapur për të shpërthyer një bombë në zemër të Europës, ndërkohë që zgjeron bashkëpunimin me të vetmin grup terrorist me organizim të lartë që ka kryer një sulm të një shkalle të gjerë në Shtetet e Bashkuara.

As SHBA-së dhe as BE-së nuk u leverdis që ta nënvlerësojnë rrezikun që vjen nga këto tendenca të kohëve të fundit dhe që vazhdojnë ende. Pa dyshim që atyre nuk u leverdis as ta rifillojnë, as ta vazhdojnë promovimin e nocionit të rremë se gjoja ekziston një rrymë e moderuar në politikën iraniane, e cila i kundërshton këto lloj aktesh e marrëdhëniesh terroriste. Kjo nuk ka qenë kurrë veçse një fantazi që justifikon vendimet e politikë-bërësve perëndimorë për të mos u konfrontuar dhe për të zhvilluar negociata të rëndomta me zyrtarët iranianë, si dhe për të mbyllur njërin sy ndaj kërcënimeve të vazhdueshme duke shpresuar se asnjë prej këtyre kërcënimeve nuk do të shndërrohet në gjakderdhje të vërtetë.

Europa ishte me fat që arriti ta parandalonte komplotin për hedhjen në erë të tubimit të të mërguarve në Francë. Por ky fat me siguri nuk do të zgjasë përgjithmonë, nëse bota perëndimore nuk vepron me unitet qëllimi për t’i sanksionuar në mënyrë gjithëpërfshirëse rrjetet terroriste të lidhura me Iranin, për ta izoluar të gjithë regjimin që ndodhet në zemër të këtyre rrjeteve, dhe për ta bërë të qartë që terrorizmi i mbështetur nga Irani do të përballet me pasoja serioze, jo vetëm për individët apo grupet që marrin pjesë në këtë terrorizëm, por edhe për udhëheqjen politike të regjimit e cila u jep urdhra atyre. Mbyllja e ambasadave të regjimit iranian, të cilat i lehtësojnë këto akte terroriste, do të ishte një fillim i mirë për përcjelljen e këtij mesazhi.