Wednesday, September 22, 2021

Iran: Katastrofa e Fluturimit 752 Konsiderohet si Terrorizëm Iranian, Duke Nxitur Kështu Thirrje të Reja për Kërkesë Llogarie

Ontario’s Superior Court of Justice

Gjykata e Lartë e Drejtësisë në Ontario

Të enjtën, Gjykata e Lartë e Drejtësisë në Ontario nxori një vendim lidhur me çështjen e hapur kundër regjimit iranian nga katër familje që kanë humbur njerëzit e tyre nga rrëzimi i Fluturimit 752 të Ukraine International Airlines. Ky incident ndodhi më 8 janar 2020, kur Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike qëlloi me dy raketa në drejtim të avionit i cili sapo ishte nisur nga Teherani. Autoritetet iraniane fillimisht tentuan ta fshehnin fajin e IRGC-së, ndërsa më vonë ia atribuan goditjet me raketa një gabimi njerëzor. Por vendimi i së enjtes nga Gjykatësi Edëard Belobaba thotë se ky incident ka qenë një akt i qëllimshëm terrorizmi dhe se Teheranit duhet t’i kërkohet llogari dhe t’i konfiskohen asetet për kompensimin e familjeve të viktimave.

Avioni i rrëzuar kishte në bord 176 pasagjerë dhe pjesëtarë të stafit, dhe të gjithë humbën jetën nga ky sulm. Fakti që kjo çështje e sapo mbyllur u gjykua në Kanada reflekton faktin që 55 prej pasagjerëve ishin shtetas kanadezë, ndërsa 83 të tjerë kishin lidhje me këtë shtet përmes rezidencës së përhershme apo marrëdhënieve familjare. Edhe Mbretëria e Bashkuar, Suedia dhe Ukraina kanë humbur shtetas të tyre në këtë katastrofë, dhe të katër këto shtete kanë marrë pjesë në përpjekjet për të siguruar zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, duke patur pikësynim përcaktimin e nivelit të fajësisë së qeverisë iraniane.

Këto përpjekje janë përballur me një numër pengesash gjatë procesit 16-mujor të hetimit. Autoritetet e regjimit iranian fillimisht promovuan një shpjegim të rremë dhe pastaj refuzuan t’ua dorëzonin regjistruesin e të dhënave të fluturimit autoriteteve të aviacionit civil së bashku me mjetin e analizimit të kësaj përmbajtjeje. Pak orë pas përplasjes, regjimi nxori deklarata zyrtare të cilat ia atribuonin ngjarjen një “problemi teknik.” Por të nesërmen, agjencitë amerikane e europiane të inteligjencës cituan imazhet satelitore dhe burime të tjera të dhënash për të justifikuar konkluzionin se avioni ishte qëlluar nga të paktën një raketë. Këto deklarata mbështeteshin edhe nga regjistrime civile nga brenda Iranit, të cilat tregonin momentin e impaktit, të ndjekur nga ngritja e një lëmshi zjarri nga vendi i përplasjes.