Friday, March 29, 2024

Kërcënimet dhe Plani Terrorist i Assadi-t Tregojnë për Terrorizmin Iranian të Sponsorizuar nga Shteti

 

Shkruar nga Shahriar Kia

Le Monde më 10 tetor citoi autoritetet belge duke thënë se diplomati terrorist i burgosur i Iranit, Assadollah Assadi , ka vepruar nën udhëzimet e shtetit iranian në komplotin e parandaluar me bombë në 2018-ën kundër tubimit të opozitës iraniane në Paris. Kjo tregon se ky veprim përbën një akt terrorizmi të sponsorizuar nga shteti.

“Më 20 shkurt, Jaak Raas, kreu i shërbimit të inteligjencës [belge], i ka shkruar prokurorit federal në atë kohë se ‘sulmi i propozuar është konceptuar në emër të Iranit, dhe nën udhëheqjen e tij; nuk ka qenë iniciativë personale e Assadi-t,’” lexon artikulli.

Assadi ka mbajtur pozicione të larta në regjim. Kështu që përfshirja e tij në këtë sulm terrorist nuk ka qenë vendim apo iniciativë personale. Lidhur me këtë, Le Monde shkruan: “Assadolah Assadi është figura qendrore në këtë çështje. 49-vjeçari ka qenë diplomat në Irak nga 2003 në 2008, para se të caktohej sekretar i tretë në ambasadën iraniane në Vienë në vitin 2014. Sipas Sigurisë së Shtetit, ai ka vepruar kryesisht për llogari të ‘Departmentit 312’, një shërbim i Ministrisë së Inteligjencës dhe Sigurisë (MOIS) që gjendet në listën e organizatave të klasifikuara si terroriste nga Bashkimi Europian.”

Më 1 korrik 2018, Gjermania e arrestoi Assadi-n para se ai të hynte në Austri, ku mbante postin e sekretarit të tretë në ambasadën e regjimit. Përpara Assadi-t ishin arrestuar tre terroristë të tjerë, në Belgjikë dhe Francë. Çifti terrorist i arrestuar në Belgjikë ishin rrugës për në Paris për të marrë pjesë në tubimin e përvitshëm “Irani i Lirë” të  Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI). Ky çift terrorist, Nasimeh Naami dhe Amir Sadouni, kishin me vete 500 gram eksplozivë TATP. Assadi ua kishte dorëzuar personalisht eksplozivët operativëve të tij në Luksemburg, për të kryer operacionin.

Lidhur me këtë, Le Monde shkruan: “Ekspertët belgë janë kategorikë: vala e shokut e shkaktuar nga bomba mund të ishte përhapur mbi njëqind metra, duke ua marrë jetën një numri të madh viktimash e duke krijuar një lëvizje paniku potencialisht fatale, nisur nga numri i njerëzve të pranishëm.”

Në këtë event merrte pjesë presidentja e zgjedhur e NCRI-së, Znj. Maryam Rajavi, qindra politikanë të njohur amerikanë e europianë, si dhe mbi 100,000 njerëz.

Të xhindosur nga zhvendosja e suksesshme e anëtarëve të Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit (PMOI/MEK) në Shqipëri, dhe pas protestave të mëdha iraniane të cilat i shkundën themelet e regjimit, mullahët vendosën të merrnin në shënjestër alternativën e vetme të vlefshme ndaj sundimit të tyre.

Kohët e fundit është zbuluar se Assadi i ka kërcënuar autoritetet dhe dëshmitarët belgë me sulme të mundshme terroriste nga grupet proksi të Teheranit, për të cilët ka thënë se “e ndjekin” nga afër rezultatin e gjyqit të Assadi-t. Assadi ka deklaruar se këto grupe do të hakmerreshin nëse vendimi i gjykatës më 27 nëntor nuk do të ishte në favor të Assadi-t.

“Gjatë burgimit preventiv të tij, Assadolah Assadi ka refuzuar të bashkëpunojë me drejtësinë belge, por ka bërë kërcënime hakmarrjeje. Më 9 mars 2019, ai ka informuar drejtorin e burgut Beveren se dëshironte të takohej me një hetues. Pastaj i ka thënë atij se nëse do të dënohej, ‘grupe të armatosura’ ishin të gatshme për të vepruar kundër oficerëve të policisë, dëshmitarëve, apo mbështetësve të PMOI-së,” lexon artikulli i Le Monde.

Znj. Rajavi ka dëshmuar për shtatë orë duke paraqitur dokumente që deklarojnë se vendimi për këtë operacion madhor terrorist është marrë nga Këshilli Suprem i Sigurisë Kombëtare i regjimit, i cili kryesohet nga Rouhani, dhe është miratuar me urdhër direkt nga Lideri Suprem i regjimit, Ali Khamenei. Znj. Rajavi ka theksuar se, krahas Assadi-t e terroristëve të tjerë të arrestuar si autorë të këtij krimi, duhet të ndiqen penalisht edhe organizatorët e vërtetë, konkretisht Khamenei, Rouhani, Zarif, dhe Mahmoud Alavi. Kjo është e domosdoshme për ta ndaluar terrorizmin e shfrenuar të mullahëve, tha ajo.