Saturday, July 2, 2022

Kërcënimet Terroriste të Pazgjidhura të Iranit në Europë

Gjykata belge ka vazhduar të dëgjojë apelimin e avokatëve për tre operativët iranianë, të cilët u kapën duke tentuar të kryenin një komplot terrorist në vitin 2018. Dy nga këta individë u kapën teksa po përpiqeshin të kalonin nga Belgjika në Francë ndërsa mbanin 500 gramë eksploziv të fuqishëm TATP. I treti u arrestua më vonë dhe u zbulua se ishte infiltruar në vendin ku Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit po zhvillonte në atë kohë tubimin vjetor të emigrantëve iranianë dhe mbështetësve politikë, në Francë.

Përpara këtij apelimi, NCRI lëshoi një deklaratë ku theksonte rëndësinë e miratimit nga autoritetet belge të dënimeve me 15, 17 dhe 18 vite burg, të dhëna për këta terroristë në shkurt. Kjo deklaratë gjithashtu përsëriste kritikat e mëparshme ndaj politikëbërësve perëndimorë, të cilët me sa duket kanë bërë shumë pak përpjekje për ta konfrontuar kërcënimin që doli në pah nga kjo çështje. Të enjten, NCRI publikoi gjithashtu një intervistë me Ingrid Betancourt, një ish-senatore kolumbiane e cila ka  qenë e pranishme në tubimin e 2018-ës pra në rrezik nga komploti me bombë, i cili kishte specifikisht në shënjestër seksionin VIP të eventit dhe folësen kryesore, Presidenten e zgjedhur të NCRI, Znj. Maryam Rajavi.

Zonja Betancourt vuri në dukje se vendimi për atë operacion “ishte marrë nga Këshilli Suprem i Sigurisë Kombëtare i regjimit iranian (SNSC), dhe zyrtarët më të lartë të regjimit kanë qenë të përfshirë në këtë akt, dhe megjithatë nuk është marrë asnjë masë e duhur politike nga BE.” Kur u pyet se çfarë do të preferonte që politikëbërësit të bënin ndryshe, ajo iu referua bisedimeve bërthamore që do të rifillojnë midis Iranit dhe gjashtë fuqive botërore në Vjenë më 29 nëntor dhe tha se qeveritë perëndimore “nuk duhet të negociojnë me një shtet terrorist, pasi rezultati final do të jetë një lëshim ndaj terroristëve dhe do të minojë më tej sigurinë tonë.”

Një ditë më parë, NCRI kishte lëshuar një deklaratë në lidhje me apelin e terroristëve, në të cilën i nxiste qeveritë perëndimore që çdo marrëdhënie e ardhshme me regjimin iranian të kushtëzohet nga dhënia fund dhunimeve të të drejtave të njeriut dhe aktiviteteve terroriste në botë. Deklarata rekomandon gjithashtu etiketimin e Ministrisë së Inteligjencës dhe Sigurimit të Iranit dhe Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike si entitete terroriste dhe ndjekjen penale të kujtdo që zbulohet se bashkëpunon me këto entitete.

Komploti terrorist i 2018-ës nxori në pah se ka shumë bashkëpunëtorë të tillë që jetojnë aktualisht në Evropë. Organizatorit të komplotit, i cili ka refuzuar ta apelojë dënimin e tij me 20 vjet, iu gjetën në zotërim të dhëna nga takimet e tij me operativë të shumtë në kohën e arrestimit. Assadollah Assadi kishte kultivuar një rrjet që përfshinte të paktën 11 vende evropiane ndërkohë që vepronte nën maskën e një këshilltari të tretë në ambasadën iraniane në Vjenë.

Zonja Betancourt u pyet në lidhje me arrestimin në shtator të një ish-drejtori të Policisë Suedeze të Sigurimit, Peyman Kia, i cili akuzohet se ka spiunuar për Iranin midis viteve 2011 dhe 2015. “Kjo është tronditëse, por për fat të keq jo befasuese,” tha Betancourt. “Dhe nuk është as një rast i izoluar. Politika perëndimore u ka dhënë mullahëve liri për të depërtuar në institucionet perëndimore.”

Të mërkurën, SHBA, Britania dhe Australia publikuan secila këshilla në lidhje me spiunazhin kibernetik iranian dhe aktivitetet e terrorizmit kibernetik. Ata vunë në dukje se kishte pasur një rritje të konsiderueshme në numrin e sulmeve kibernetike(ransomware) të lidhura me Iranin gjatë muajve të fundit. Këto sulme kishin në shëjestër sisteme të ndryshme kombëtare, duke përfshirë ato në fushën e transportit dhe kujdesit shëndetësor. Raportet tregojnë se ndryshe nga sulmet e ngjashme nga burime të tjera, përdorimi i ransomware nga hakerat iranianë nuk ka si qëllim kryesor gjenerimin e të ardhurave, por bllokimin dhe infiltrimin e kompjuterave të shënjestrave për hir të mbledhjes së informacionit dhe zgjerimit të shtrirjes së tyre në shënjestra dhe asete të tjera të mundshme.