Saturday, July 2, 2022

Komiteti i Punëve të Jashtme në Dhomën e Komuneve Nxit Mbretërinë e Bashkuar që ta Fusë në Listën e Zezë IRGC-në e Iranit si një Organizatë Terroriste

Parlamenti Britanik

Komiteti i Punëve të Jashtme i Dhomës së Komuneve në Mbretërinë e Bashkuar, në një raport të ri, nxit qeverinë britanike që ta etiketojë Gardën Revolucionare (IRGC) të regjimit iranian si një organizatë terroriste. Është koha që qeveria britanike t’i nxjerrë jashtë ligjit anëtarët e IRGC-së, si terroristë, gjë që kërkohet nga populli iranian dhe Rezistenca e tij.

“Rekomandojmë nxjerrjen jashtë ligjit të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) në tërësinë e tij për mbështetjen e qartë e të vazhdueshme që ai u jep terroristëve dhe aktorëve jo-shtetërorë që punojnë për të minuar stabilitetin në rajon,” lexon raporti.

“Dëshmitarë të shumtë i kanë përshkruar shkeljet e të drejtave njerëzore të kryera nga Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) të Iranit kundër popullit iranian dhe si eksportues të terrorizmit në nivel rajonal dhe ndërkombëtar,” shton raporti, duke iu referuar shkeljeve të të drejtave njerëzore nga IRGC.

Gjatë kryengritjes së nëntorit 2019, forcat e IRGC vranë të paktën 1500 protestues. Shumë protestues të tjerë u arrestuan dhe gjenden nën torturë.

Shtetet e Bashkuara e kanë etiketuar IRGC-në në tërësinë e saj si një Organizatë të Huaj Terroriste në 2019-ën. Duke iu referuar këtij fakti, Komiteti britanik i Punëve të Jashtme e ka nxitur qeverinë britanike që të ndërmarrë të njëjtin veprim.

“Jemi të kënaqur që veprimet e Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike i plotësojnë kriteret për nxjerrje jashtë ligjit sipas Aktit të Terrorizmit 2000, dhe e shohim nxjerrjen jashtë ligjit si një zgjatim logjik të kufizimeve ekzistuese që janë vënë mbi anëtarët e IRGC-së nga regjimi i sanksioneve të BE. Filozofia dhe veprimet malinje të IRGC brenda Iranit e në rajon shkojnë kundër interesave të Mbretërisë së Bashkuar dhe atyre të popullit iranian,” shton Komiteti i Punëve të Jashtme.

Më herët, 37 Anëtarë të Parlamentit, me anë të një mocioni, i kanë bërë thirrje qeverisë britanike që ta etiketojë IRGC-në si entitet terrorist, për veprimtaritë e saj terroriste në Lindjen e Mesme dhe jashtë vendit, dhe për shkeljet ndaj të drejtave njerëzore të popullit iranian.