Sunday, June 20, 2021

Pak Ditë Para Shpalljes së Verdiktit për Assadi-n, Regjimi Iranian u Drejtohet për Shpëtim Teorive Konspirative

Vetëm pak ditë para se një gjykatë në Anversa të Belgjikës të shpallë verdiktin për sa i përket diplomatit terrorist të burgosur iranian,  Assadollah Assadi, më 4 shkurt, Ministria e Jashtme e regjimit po u drejtohet për shpëtim teorive konspirative dhe këmbëngul në të ashtu-quajturin “imunitet diplomatik” të Assadi-t, duke shprehur kështu frikën e mullahëve nga probabiliteti i lartë që Assadi të dënohet.

“Ky është një kurth i ndërlikuar që është bërë duke përdorur MEK-un [Organizatën Muxhahedine të Popullit të Iranit] për këtë diplomat iranian,” tha të dielën Saied Khatibzadeh, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme.

Autoritetet europiane e arrestuan Assadi-n së bashku me tre nga bashkëpunëtorët e tij ndërkohë që ata tentonin të shpërthenin një bombë në tubimin e opozitës iraniane në Paris në qershor 2018. Përpara arrestimit të tij, Assadi shërbente si sekretar i tretë në ambasadën iraniane në Austri.

Khatibzadeh konfirmoi frikën e regjimit nga gjykimi i Assadi-t, duke thënë “mund të krijojë një precedent të rrezikshëm.”

Bazuar në prova dhe në padinë e prokurorëve, Assadi kishte transferuar 500 gramë TATP me eksplozivitet të lartë në Europë me anë të një avioni pasagjerësh. Ai u ishte shmangur kontrolleve të sigurisë duke përdorur pasaportën e tij diplomatike. Assadi ua kishte dorëzuar eksplozivët çiftit Nasimeh Na’ami dhe Amir Saadouni dhe i kishte ngarkuar ata me detyrën për ta vendosur bombën “sa më afër të jetë e mundur” me zonjën Maryam Rajavi, presidenten e opozitës iraniane.

Khatibzadeh, zëdhënës për ekzekutuesin numër një në botë per capita, ankohet se Assadi është “burgosur në kushte çnjerëzore.”

“Ai ka patur akses të kufizuar në avokatin e tij dhe në kontakte me telefon me familjarët e tij,” pretendon ai.

Khatibzadeh flet për mungesë avokati për Assadi-n, ndërkohë që regjimi që ai përfaqëson ka ekzekutuar në mënyrë jashtëgjyqësore mijëra disidentë. Kryegjyqtari i regjimit Ebrahim Raisi dhe Ministri i Drejtësisë Alireza Avaii kanë luajtur një rol kyç në masakrën e 1988-ës ndaj mbi 30,000 të burgosurve politikë.

Khatibzadeh pretendon se Assadi ka imunitet diplomatik dhe se i janë mohuar “të drejtat,” ndërkohë që ai ka tentuar të kryejë vrasje masive në Europë.

Gjatë gjyqit të Assadi-t më 27 nëntor dhe 3 dhjetor, prokurorët kanë paraqitur prova të shumta, të gjetura në makinën e Assadi-t, duke përfshirë një bllok me kode për operacionin, duke konfirmuar kështu rolin e tij si komandant i këtij komploti terrorist.