Thursday, March 28, 2024

Politika e BE-së ndaj Iranit Shpërfill Kërcënimet Terroriste dhe Dhunimet e të Drejtave Njerëzore

 

Të hënën, Komiteti i Grave i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit organizoi një konferencë virtuale me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas. Në këtë event morën pjesë aktiviste iraniane dhe parlamentarë nga Britania e disa vende europiane. Kjo konferencë shërbeu për të nënvizuar mohimin sistematik që Republika Islamike u bën të drejtave të grave, si dhe disa çështje të tjera.

Një nga folësit e eventit ishte Anthea McIntyre, e cila ka shërbyer si Anëtare e Parlamentit Europian nga Britania nga viti 2004 deri në 2019-ën. Ajo deklaroi përpara audiencës virtuale: “Më duket e neveritshme kur shoh zyrtarët europianë tek mbajnë marrëdhëniet tregtare, paqësojnë mullahët, dhe i shpërfillin dhunimet e të drejtave njerëzore në Iran, sidomos ndaj grave.”

Kjo ndjenjë u shpreh nga një numër pjesëmarrësish në konferencën e të hënës mbi të drejtat e grave, por ajo ishte edhe një veçori e spikatur e deklaratave të shkruara, të publikuara përpara këtij eventi. Këto deklarata mbartin firmat e parlamentarëve nga BE, Mbretëria e Bashkuar, dhe Shtetet e Bashkuara, si dhe të disa personaliteteve të lidhur me organizata jo-qeveritare me fokus në çështjet iraniane, si Komiteti Ndërkombëtar në Kërkim të Drejtësisë (ISJ). Këto deklarata janë përgatitur përgjithësisht ose në pritje, ose në përgjigje të verdiktit lidhur me çështjen gjyqësore të një gjykate federale belge kundër një diplomati të lartë iranian, Assadollah Assadi.