Friday, March 29, 2024

Ushtria Kibernetike e Iranit: Një Forcë Keqinformimi për një Kauzë të Mallkuar

“Ne krijuam llogari të reja në Twitter, duke përdorur identitetin e influencuesve të tjerë të Twitter, të cilët ishin kryesisht aktivistë anti-revolucionarë. Llogaria jonë kishte vetëm një karakter të ndryshëm dhe ishte mjaft e ngjashme me atë të vërtetën. Përdorëm të njëjtën foto dhe të njëjtin emër, por gjithçka ishte e rreme. Pasi krijuam llogaritë, filluam me aktivitetet tona. Ishte një operacion psikologjik dhe njerëzit vepronin pa kufizime. Sapo një nga këto llogari postonte diçka në Twitter, të tjerët, që supozohej se ishin miqtë e tij, e ripostonin përmbajtjen. Në fund, edhe miqtë e vërtetë të atij influencuesi ripostojnë tweet-et e llogarisë false.”

Këto ishin fjalët e një zyrtari të regjimit iranian, i cili tani mbikëqyr projektligjin parlamentar që me siguri do të kufizojë përdoruesit e internetit dhe aksesin e tyre në rrjedhën e informacionit brenda Iranit. Ruhollah Mo’men Nasab, ish-drejtues i Qendrës së Medias Dixhitale të Ministrisë së Kulturës dhe pikërisht personi që i kërkoi gjyqësorit të regjimit iranian t’i dërgonte fletëthirrje themeluesit të Facebook, Mark Zuckerberg, në 2014, e pranoi pjesërisht atë që ai e quajti “informacion i vjetër”, në një intervistë në 28 mars.

Përveç disa dhjetëra organizatave ushtarake dhe të sigurisë që specializohen në terrorizimin e shoqërisë iraniane dhe botës, regjimi klerikal dihet se ka një rrjet të gjerë të inteligjencës dhe kundërinteligjencës për të monitoruar, manipuluar dhe dominuar hapësirën kibernetike. Ky rrjet zhvillon kryesisht dy lloje operacionesh. Më famëkeqja është një forcë e hapësirës kibernetike e cila është përgjegjëse për hakimet dhe llojet e tjera të sulmeve në internet. Është edhe një forcë tjetër, e cila edhe pse më pak e njohur, më pak teknike, më pak e gjurmuar dhe e identifikuar, nuk i ka shërbyer më pak Teheranit.

Kjo degë e ushtrisë kibernetike është një rrjet i gjerë i krijuar me qëllim shpërndarjen dhe promovimin e fjalimeve të qeverisë në internet, si  dhe dëmtimin e disidentëve dhe grupeve opozitare, identifikimin e përdoruesve që janë kundër regjimit dhe mbështetjen e aktiviteteve të regjimit. Njësia speciale e inteligjencës e Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC-IU) së bashku me Ministrinë e Inteligjencës (MOIS) të regjimit iranian kanë iniciuar një sistem shumë të madh me dhjetëra mijëra llogari të mediave sociale. Fjala kibernetike i atribuohet posaçërisht llogarive të rreme të lidhura me regjimin, në Twitter, Facebook, Instagram dhe të tjera si këto. Shumë prej këtyre llogarive, ndonjëherë të identifikuara si përdorues të zakonshëm, shfaqen si “ateistë” ose “monarkistë”, të cilët duket se kanë një këndvështrim të kundërt ose kritik mbi regjimin, por në praktikë, dhe ndonjëherë në mënyra më komplekse, janë në përputhje me shtetin dhe u shërbejnë objektivave të tij.

Deri më sot, asnjë nga organizatat apo institucionet në Iran nuk e ka pranuar zyrtarisht përgjegjësinë për ushtrinë kibernetike, por provat e disponueshme sugjerojnë se si IRGC-IU ashtu edhe MOIS kanë një marrëdhënie komplekse dhe të ndërthurur në drejtimin e saj. Mes provave ka referenca të shpërndara për një sërë zyrtarësh të regjimit që kanë pranuar veprimtarinë e kësaj force speciale.