Friday, March 29, 2024

Gratë në shoqërinë eksplozive të Iranit

“Në momentin që flasim, ka rreth pesë milion nëna të vetme në të gjithë Iranin; 52 për qind nuk kanë asnjë sigurim apo pension. Për më tepër, 38 për qind konsiderohen në të tretën më të ulët të shoqërisë; 19 për qind, që do të thotë rreth një milion njerëz, nuk marrin fare mbështetje.”

Këto ishin fjalët e Mohammad Bagher Ghalibaf, kryetar i Maxhlisit (parlamentit) të regjimit iranian, gjatë seancës së të martës, 25 janar, fjalë që shkaktuan shqetësime të mëdha mes zyrtarëve të regjimit.

Gjatë të njëjtës seancë, kreu i Komisionit Social të Maxhlisit pranoi mbizotërimin e “shqetësimeve në rritje midis nënave të vetme, grave të veja dhe grave beqare”.

“Në vitin 2006 kishim 1.2 milion nëna të vetme. Megjithatë, kjo shifër është rritur çdo vit,” shtoi ai.

Si rezultat, gjatë 15 viteve të fundit, numri i nënave të vetme në Iran është katërfishuar.

“Janë rreth 13 institucione që pretendojnë se janë përgjegjëse për çështjet që kanë të bëjnë me nënat e vetme dhe secili prej tyre ka marrë përsipër përgjegjësi dhe detyra të caktuara. Megjithatë, nënat e vetme janë i vetmi segment i shoqërisë sonë që është harruar plotësisht,” tha deputeti Ebrahim Azizi më 25 janar, sipas agjencisë së lajmeve Mehr, një media e lidhur me Ministrinë e Inteligjencës dhe Sigurisë (MOIS) të regjimit.

Vlen të përmendet se regjimi i mullahëve ka edhe 25 institucione dhe entitete të tjera që fokusohen në “hixhabin dhe ifafin”, ose veshjen dhe shenjtërinë e grave, institucione që mund të përshkruhen më saktë si aparati i regjimit i ngarkuar me detyrën për të vazhduar shtypjen e grave iraniane nga mullahët.

Gratë në Iran përbëjnë 60 për qind të kapacitetit aktual në kolegjet dhe universitetet e vendit. Megjithatë, politika zyrtare e regjimit, të cilën e përsërisin si papagall zyrtarët e tij me pretekste të ndryshme, është që t’i detyrojë gratë të largohen nga të gjitha arenat shoqërore dhe të mbeten në qoshet e errëta të shtëpive të tyre.

Kjo përfshin komentet e bëra nga udhëheqësi suprem i regjimit Ali Khamenei, i cili ka theksuar vazhdimisht se roli kryesor i grave kufizohet në mbajtjen e shtëpisë dhe rritjen e fëmijëve. Si rezultat, të gjithë zyrtarët e regjimit e kanë për detyrë që t’i përkufizojnë gratë si qytetare të dorës së dytë. Presidenti i regjimit Ebrahim Raisi kohët e fundit është shprehur kundër turneve të natës për gratë në çfarëdo profesioni, dhe e përfundoi fjalën e tij duke thënë: “Në fund të fundit, gratë janë gra”.

Ensie Khasali, Zëvendës Presidentja e Raisit për Çështjet e Familjes dhe Grave, ka detyrën specifike për t’i kufizuar gratë iraniane në shtëpitë e tyre, duke punuar në distancë. “Gratë kanë përgjegjësi të panumërta. Prandaj ne kemi marrë masa që ato të vazhdojnë të punojnë në distancë pas mbarimit të pandemisë së koronavirusit,” tha ajo më 5 nëntor 2021, sipas agjencisë zyrtare të lajmeve të regjimit, IRNA.

Politikat mizogjiniste të regjimit për të kufizuar gratë iraniane në shtëpitë e tyre nuk mbarojnë këtu. Skenari ideal për Khamenei-n dhe regjimin e tij shprehet përmes krerëve të namazit të së Premtes, të cilët i përshkruajnë edhe rrugët si të pasigurta për gratë.

“Është një detyrë e dhënë nga Zoti të shprehësh urrejtjen për gratë pa hixhab (shami që mbulojnë flokët),” tha Ahmad Alamalhoda, përfaqësues i Khameneit dhe udhëheqës i namazit të së Premtes në Mashhad, që është qyteti i dytë më i madh i Iranit.

Yousef Tabatabaie, udhëheqës i namazit të së premtes në Isfahan, bëri thirrje në mënyrë specifike që kushtet të “bëhen të pasigurta” për ato gra që nuk respektojnë rregullat e regjimit për hixhabin e detyrueshëm. Vlen të përmendet se gratë në Isfahan në të shkuarën kanë qenë shënjestra të sulmeve me acid nga anëtarët e grupit paramilitar Basij të Gardës Revolucionare (IRGC) të regjimit. Një incident i ngjashëm u raportua së fundmi në Teheran ku disa gra që stërviteshin në një park u sulmuan nga një burrë i cili spërkati me acid rrobat e tyre.

Edhe pse regjimi mizogjinist shkon në ekstrem me krimet dhe masat e tij të shëmtuara kundër grave iraniane, megjithëse mijëra nga gratë më të guximshme të Iranit janë vrarë nga regjimi i mullahëve gjatë katër dekadave të fundit, dhe pavarësisht përpjekjeve të regjimit për ta eliminuar krejtësisht rolin e grave nga struktura sociale e Iranit, një vështrim më i gjerë tregon se mullahët kanë dështuar mjerisht në këtë drejtim.

Gratë iraniane kanë luajtur prej kohësh një rol udhëheqës në trazirat, protestat dhe kryengritjet mbarëkombëtare kundër regjimit të mullahëve. Ato jo vetëm që po luajnë një rol kyç në koalicionin e opozitës së organizuar, Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit (NCRI), dhe në komponentin e tij kryesor, Organizatën e Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (PMOI/MEK), por edhe në rrjetin gjithnjë në rritje të Njësive të Rezistencës të udhëhequra nga MEK, në mbarë Iranin.

Disfata e regjimit bëhet e dukshme edhe në fjalët e Galibaf gjatë seancës së Maxhlisit të së martës, ku ai citoi fjalët e vetë Khameneit duke thënë: “Për 20 vjet i kemi lënë pas dore dhe kemi patur mangësi në lidhje me çështjen e grave.”

Natyrisht, do të ishte naive të mendohej se Khamenei dhe Galibaf janë të shqetësuar për të mirën e grave në Iran. Një supozim i tillë bie ndesh me karakterin historik të regjimit si një entitet mizogjinist dhe shkon krejtësisht kundër historikut 43-vjeçar të egërsisë dhe shtypjes së gjithanshme ndaj grave nga mullahët.

Pas katër dekadash vuajtje dhe me dhjetëra mijëra gra iraniane të vrara ose të ekzekutuara nga regjimi i mullahëve, gjendja aktuale e këtij segmenti të rëndësishëm të shoqërisë iraniane është arsyeja pse vendi po përshkruhet si një fuçi baruti gati për të shpërthyer. Gratë në udhëheqjen e opozitës iraniane kanë gëzuar një status të tillë që gratë në vende të tjera të botës e kanë zili. Dhe ky është vetë burimi i shqetësimeve në rritje të Khameneit dhe zyrtarëve të regjimit të tij, duke e ditur realitetin e pamohueshëm se gratë do të jenë forca që do ta rrëzojë regjimin e tyre mizogjinist.