Wednesday, January 26, 2022

Situata e Grave në Burgun Sepidar të Ahvazit: Torturim, me Ndërprerje të Ujit dhe Elektricitetit në Kulmin e të Nxehtit, Krahas Krizës së Koronavirusit

 

 

Situata e grave në burgun Sepidar të Ahvazit është jashtëzakonisht kritike. Torturimet dhe ngacmimet e pafundme, së bashku me krizën e koronavirusit, me ndërprerjet e vazhdueshme të ujit dhe elektricitetit, dhe me mungesën e pajisjeve më minimale të freskimit, e kanë bërë situatën të padurueshme për të burgosurat, sidomos për të burgosurat politike. Kjo gjendje është e rrezikshme për gratë e moshuara dhe të sëmura dhe u ka shkaktuar atyre probleme të rënda të frymëmarrjes.

I vetmi kondicioner i vjetëruar në pavijonin e grave është i prishur. Si rezultat i nxehtësisë ekstreme dhe mbipopullimit, gjendja e të burgosurave është përkeqësuar deri në atë pikë saqë, për shkak të të nxehtit, njërës prej të burgosurave i ra të fikët dhe u rrëzua përtokë.

Një nga të burgosurat, e cila dyshohej për infektim me Koronavirus, u dërgua në një spital jashtë burgut, por e kthyen më pas në të njëjtin pavijon pa e karantinuar. Deri tani, të paktën 50 gra në këtë burg janë infektuar me Koronavirus.

Protestat e të burgosurave janë shpërfillur nga zyrtarët e burgut, dhe e vetmja linjë telefonike me botën e jashtme ndërpritet vazhdimisht, duke e bërë virtualisht të pamundur për të burgosurat që të komunikojnë me familjet e tyre.

Komiteti i Grave i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit e nxit komunitetin ndërkombëtar, si dhe mbrojtësit e aktivistët e të drejtave njerëzore dhe të të drejtave të grave që të veprojnë urgjentisht për t’ua shpëtuar jetën të burgosurave, veçanërisht të burgosurave politike, dhe që të organizojnë një vizitë nga një komision ndërkombëtar hetimi i cili të takohet me të burgosurit, sidomos të burgosurat femra.