Friday, March 29, 2024

Të drejtat njerëzore në Iran diskutohen në hapjen e Këshillit të të Drejtave të Njeriut

Human rights in Iran discussed in the opening of the Human Rights Council

Komisionerja e Lartë e OKB për të Drejtat e Njeriut, Michele Bachelet

 

Raporti nënvizon kushtet e rënda të grave iraniane dhe dhunimet e të drejtave të tyre

Kreu i OKB për të Drejtat prezantoi raportin vjetor të OKB mbi situatën e të drejtave njerëzore në Iran, të hënën, më  22 qershor 2021.

Michelle Bachelet prezantoi raportin e Sekretarit të Përgjithshëm mbi të drejtat e njeriut në Iran në hapjen e seancës së 47-të të Këshillit të OKB për të Drejtat e Njeriut, seancë që do të zgjasë deri më 13 korrik. Kjo seancë po zhvillohet virtualisht për shkak të kufizimeve për Covid-19.

Michelle Bachelet vuri në dukje se raporti i Sekretarit të Përgjithshëm mbulon periudhën nga 1 qershor 2020 deri më 17 mars 2021.

Ekonomikisht, Irani është përballur me përkeqësim të standardeve të jetës, inflacion të lartë, dhe papunësi të gjerë, faktorë që kanë nxitur pakënaqësi e protesta. Por në nivelin politik, autoritetet nuk kanë treguar gatishmëri për të ndërmarrë reforma domethënëse, tha Znj. Bachelet në Këshillin e OKB për të Drejtat e Njeriut.

Ajo tha se ekzistenca e sanksioneve nuk e anulon përgjegjësinë e Shtetit për t’iu përgjigjur pandemisë në përputhje me ligjet për të drejtat njerëzore.

Ekzekutimi i 267 njerëzve, duke përfshirë nëntë gra, në 2020

Në 2020-ën, janë ekzekutuar të paktën 267 njerëz, përfshirë nëntë gra. Ajo vuri në dukje gjithashtu ekzekutimin e të paktën 69 individëve kurdë, nga të cilët disa kanë qenë të dënuar me akuza të përcaktuara në mënyrë të vagullt, ndërkohë që janë shtuar ekzekutimet e minoritarëve, përfshirë ata Baloch.

Kreu i OKB për të Drejtat vuri në dukje se avokatë dhe aktivistë të shumtë të shoqërisë civile janë burgosur për arsye se kanë folur në mbrojtje të të drejtave të grave dhe kanë kërkuar t’i jepet fund ligjit për mbulimin e detyrueshëm. Në përgjithësi, raporti ka zbuluar një situatë të rëndë të të drejtave njerëzore për gratë dhe burrat iranianë të çdo feje, etnie, klase shoqërore, apo statusi tjetër. Komisionerja e Lartë shprehu keqardhje për faktin që korniza për të drejtën për pjesëmarrje politike nuk është në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Raporti i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB, Antonio Guterres, në të cilin ai nënvizon situatën e rëndë të të drejtave njerëzore në Iran, është publikuar më 9 qershor 2021.

  1. Guterres thotë në këtë raport: Situata e përgjithshme e të drejtave njerëzore në Republikën Islamike të Iranit mbetet një shqetësim serioz. Pavarësisht krizës ekonomike, të përkeqësuar nga vënia e sanksioneve sektoriale dhe pandemia e sëmundjes së koronavirusit (COVID-19), faktorët e brendshëm që përfshijnë pengesat ndaj sundimit të ligjit dhe mekanizmat e dobët të drejtësisë e llogaridhënies rezultojnë në pandëshkueshmëri, bëjnë që shkeljet ekzistuese të vazhdojnë dhe e shtojnë rrezikun për shkelje në të ardhmen. Fakti që nuk është krijuar një mekanizëm në përputhje me ligjin ndërkombëtar për llogaridhënie dhe kompensim për shkeljet e kryera në kontekstin e protestave të nëntorit 2019 është emblematik. Protestuesit, mbrojtësit e të drejtave njerëzore, avokatët, dhe aktorët e shoqërisë civile vazhdojnë të jenë objekt i frikësimeve, arrestimeve arbitrare, dhe ndjekjes penale, duke përfshirë dënimin me vdekje.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Antonio Guterres

Raporti nënvizon dhunimet e të drejtave të grave

Sekretari i Përgjithshëm shprehu shqetësim për faktin se: “Shënjestrimi i familjarëve dhe ngritja e akuzave të reja kundër mbrojtësve të të drejtave njerëzore dhe avokatëve për të zgjatur burgosjen e tyre arbitrare janë zhvillime shqetësuese… Për shembull, mbrojtëset e të drejtave të grave, Atena Daemi dhe Golrokh Iraee kanë marrë dënime të reja me burg, duke e mbajtur kështu Znj. Daemi në burg, dhe duke e rikthyer Znj. Iraee pas lirimit. Një tjetër tendencë shqetësuese është transferimi ndëshkues i të burgosurve të ndërgjegjes, përfshirë të paktën 15 mbrojtëse të burgosura të të drejtave të grave, në burgje të largëta.”

Raporti vë në dukje gjithashtu se: “Të burgosurit e ndërgjegjes, aktivistët politikë, mbrojtësit e të drejtave njerëzore, dhe avokatët përjashtohen padrejtësisht nga lirimi i përkohshëm. Si rezultat, disa të burgosur politikë kanë kaluar vite të tëra në burg pa asnjë ditë të vetme leje. Për shembull, Maryam Akbari Monfared, e dënuar me 15 vite burg për pjesëmarrje në protestat e 2009-ës, i ka kaluar në burg këto 12 vitet e fundit. Ngacmimet kundër saj u shtuan pasi kishte bërë një kallëzim zyrtar, ku kërkonte një hetim zyrtar mbi ekzekutimet e të burgosurve politikë, përfshirë familjarëve të saj, në 1988-ën. Në mënyrë të ngjashme, Zeinab Jalalian, një e burgosur politike kurde që po vuan një dënim të përjetshëm për moharebeh, është mbajtur në burg që në vitin 2008 pa asnjë ditë leje.”