Tuesday, October 20, 2020

Zyrtarët Paralajmërojnë për Protesta të Mëtejshme në Iran për Shkak të Krizave Ekonomike e Shoqërore

 

Teksa krizat ekonomike e shoqërore në Iran rriten për shkak të keqmenaxhimit nga regjimi, zyrtarët dhe mediat shtetërore po paralajmërojnë për protesta të reja anti-regjim dhe për disfatën e mullahëve në horizont.

Gjatë seancës publike të Parlamentit të regjimit të dielën, dhe në mes të grindjeve të brendshme të tyre, disa nga deputetët e regjimit e pranuan krizën aktuale ekonomike. Gjithashtu, ata identifikuan korrupsionin sistematik e të institucionalizuar si arsyen kryesore për sfidat ekonomike. Në këtë mënyrë, ata hodhën poshtë të gjitha përpjekjet dhe pretendimet e mullahëve e apologjetëve të tyre për të fajësuar sanksionet për problemet ekonomike e shoqërore të Iranit.

“Rritja ekonomike e vendit ka qenë negative për tetë vite. Qeveria që pretendonte se do t’i zgjidhte problemet e popullit tashmë është e dëshpëruar për një zgjidhje. Të ardhurat e vendit janë ulur me 34% që në 2013-ën. Fuqia blerëse e njerëzve është ulur në një të tretën e vitit të kaluar dhe çmimet kapin majat në mënyrë të papritur e vazhdimisht. Lëndët bujqësore si gruri, soja, etj., rriten 10-fish brenda natës, lëndët e ndërtimit rriten më shumë se 10 deri në 20 herë, dhe çmimet e mishit kapin majat,” tha Kamal Alipour, një nga deputetët e regjimit, të dielën.