Tuesday, March 19, 2024

Shoqata e Miqësisë Shqiptaro-Iraniane dënon shtypjen masive nga ana e regjimit iranian, mbështet kryengritjen e popullit iranian

Shoqata e Miqësisë së Shqipërisë me Rezistencën Iraniane dënon fuqishëm regjimin iranian për shtypjen e tij masive ndaj protestave në mbarë Iranin, të cilat filluan më 15 nëntor kundër trefishimit të çmimit të gazolinës.

Shoqata e Miqësisë së Shqipërisë me Rezistencën Iraniane admiron popullin e guximshëm të Iranit i cili po kërkon shtimin e të drejtave, lirive dhe një të ardhme më të mirë pavarësisht këtyre vrasjeve, arrestimeve masive dhe bllokimit të internetit nga regjimi.

 Shoqata gjithashtu nxit Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe komunitetin ndërkombëtar të mbrojtësve të të drejtave njerëzore që ta dënojnë fuqishëm shtypjen e protestave të popullit iranian, dhe i bën thirrje Kombeve të Bashkuara që të dërgojë urgjentisht një delegacion të OKB-së për të hetuar situatën e martirëve, të plagosurve, dhe njerëzve të arrestuar e të burgosur në Iran.

Më poshtë vijon teksti i plotë i deklaratës:

Deklaratë e Shoqatës së Miqësisë Shqipëri – Rezistenca Iraniane në mbështetje të protestës së popullit iranian dhe kërkesës për liri dhe demokraci

Shoqata e Miqësisë Shqipëri-Rezistenca Iraniane dënon me forcë regjimin Iranian për goditjen brutale dhe masive të protestave në të gjithë Iranin, të cilat filluan më 15 nëntor 2019 për trefishimin e çmimeve të benzinës.

Sipas raporteve të fundit, të paktën 1000 protestues janë vrarë – shumë prej të cilëve nga pushkatimi i drejtpërdrejtë nga forcat e sigurimit të Regjimit Iranian – ndërsa mbi 12’000 protestues janë arrestuar dhe 4’000 protesues janë plagosur në 189 qytete.

Ne jemi shumë të shqetësuar për fatin e protestuesve, të cilët tashmë janë kërcënuar me ekzekutim me varje nga media shtetërore, zyrtarë të lartë të regjimit si dhe Gjyqësori i atij vendi.

Shoqata e Miqësisë Shqipëri-Rezistenca Iraniane shpreh ngushëllimet e saj më të thella për familjet e viktimave dhe admiron popullin trim të Iranit, i cili po kërkon më shumë të drejta, liri dhe një të ardhme më të mirë përkundër këtyre vrasjeve, arrestimeve masive dhe mbylljes së internetit nga regjimi.

Ne besojmë se Organizata Popullore e Moxhahedinëve të Iranit (PMOI / MEK) me të vërtetë përfaqëson popullin Iranian dhe luftën e tij të drejtë për një Iran të lirë dhe demokratik. Vërejmë shumë deklarata publike nga zyrtarë të lartë të regjimit, përfshirë udhëheqësin suprem dhe përfaqësuesit e tij, të cilët pranojnë dhe deklarojnë rolin e grupit kryesor të opozitës në Iran (PMOI / MEK) dhe rrjetit të tij brenda vendit si frymezues dhe organizator i protestave të vazhdueshme kundër regjimit.

Ne i bëjmë thirrje Kombeve të Bashkuara dhe bashkësisë ndërkombëtare në mbrojtje të Të Drejtave Të Njeriut që të dënojnë me forcë shtypjen e protestave të popullit iranian dhe urgjentisht të dërgojnë një delegacion të Kombeve të Bashkuara për të hetuar situatën e martirëve, të plagosurve, të arrestuarve dhe të burgosurve në Iran.

 

Namik Kopliku

Kryetari i Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Rezistenca Iraniane