Friday, March 29, 2024

531 arrestime në Khuzestan dhe Kermanshah

Iran – Kryengritja, Nr. 58

Thirrje për dërgimin e një delegacioni ndërkombëtar për të vizituar të burgosurit

Vonesa në monitorimin ndërkombëtar u jep mullahëve liri për t’i torturuar dhe ekzekutuar të burgosurit

Më shumë se një muaj pas kryengritjes mbarëkombëtare të popullit iranian, arrestimet vazhdojnë gjerësisht në Iran.

Agjencia shtetërore e lajmeve Mehr ka cituar Ali Akbar Javidan, Komandantin e Forcave të Sigurisë së Shtetit (SSF) në Provincën Kermanshah, më 19 dhjetor 2019, duke thënë se, “Janë arrestuar mbi 250 liderë të rebelimeve të muajit të shkuar, kryesisht të moshave 20 deri në 35 vjeç, të cilët kanë pranuar se kanë lidhje me grupime terroriste dhe armiq të revolucionit.”

Më parë, Heydar Abbaszadeh, Komandanti i SSF-së në Provincën Khuzestan, kishte raportuar 145 dhe 136 arrestime protestuesish më 4 dhe 13 dhjetor përkatësisht, të cilët, sipas fjalëve të tij, “ishin nxitësit dhe liderët kryesorë të trazirave në Provincën Khuzestan.”

Numri i vërtetë i të arrestuarve gjatë kryengritjes është mbi 12,000. Regjimi klerikal, nga frika e pasojave të brendshme e ndërkombëtare të krimit të tij kundër njerëzimit, po bën të pamundurën për ta parandaluar publikimin e numrit dhe emrave të të vrarëve e të arrestuarve, dhe të vendndodhjes së këtyre të fundit.

Shumë prej të arrestuarve torturohen brutalisht për t’i detyruar që të bëjnë rrëfime në televizion. Trupat e shumë prej të torturuarve për vdekje janë hedhur në lumenj e rezervuare.

Znj. Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), i ka bërë thirrje vazhdimisht Kombeve të Bashkuara që të dërgojnë në Iran një mision të gjetjes së fakteve për të vizituar të arrestuarit. Pa një monitorim të tillë, regjimi iranian do të ndihet i lirë për të vazhduar me mizoritë e veta.

Sot, me një votë pothuajse unanime, Parlamenti Europian miratoi një rezolutë që bën thirrje për lirimin pa kushte të të arrestuarve gjatë kryengritjes dhe që familjet e të arrestuarve të informohen për vendndodhjen e tyre, si dhe që avokatët dhe vrojtuesit ndërkombëtarë të kenë mundësi t’i kontaktojnë ata. Kjo rezolutë i bën gjithashtu thirrje OKB-së të nisë pa vonesë një hetim mbi masat shtypëse ndaj popullit iranian. Bashkimi Europian dhe shtetet anëtare të tij, pesë prej të cilave janë anëtare të Këshillit të Sigurisë dhe 10 prej të cilave janë anëtare të Këshillit të të Drejtave Njerëzore, duhet të ndërmarrin hapa urgjentë për ta implementuar një monitorim të tillë.

Sekretariati i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit

19 dhjetor 2019