Saturday, October 16, 2021

Amnesty International: Granatat Iraniane me Gaz Lotsjellës Shkaktojnë  Vdekjet e Protestuesve në Irak

Granatat iraniane me gaz lotsjellës

Amnesty International tha të enjten në një komunikatë të përditësuar për shtyp se granatat me gaz lotsjellës e tym që po vrasin protestuesit në Irak janë prodhuar nga regjimi iranian.

Amnesty International tha se ka kryer hetime të mëtejshme për sa i përket granatave 40mm “më pak vdekjeprurëse” që po shkaktojnë vdekjen e protestuesve gjatë dhunës së kohëve të fundit në Bagdad.

“Analizat e reja tregojnë se, përveç granatave serbe Sloboda Ĉaĉak M99 që janë identifikuar tashmë, një pjesë e konsiderueshme e këtyre predhave vdekjeprurëse janë në fakt granata gazi lotsjellës M651 dhe granata tymi M713 të prodhuara nga Organizata e Industrive të Mbrojtjes (DIO) e Iranit,” thotë grupi i të drejtave njerëzore.

 

 

 “Që kur i kemi publikuar për herë të parë gjetjet tona më 31 tetor, Amnesty International ka shqyrtuar dhe verifikuar prova në formë videoje për katër vdekje të tjera të shkaktuara nga granatat serbe dhe iraniane si dhe ka marrë një numër të konsiderueshëm fotosh të tjera të këtyre armëve, me anë të burimeve në terren. Analizimi i këtyre provave të reja ka bërë të mundur që Amnesty International të mund ta bëjë këtë identifikim.” 

Amnesty International thotë se nuk ka informacion mbi identitetet e forcave të sigurisë që qëllojnë me këto granata iraniane M651 dhe M713 në Bagdad.  

Organizata thotë që këto granata vdekjeprurëse duhet të hiqen menjëherë nga përdorimi. Gjithashtu shton se duhet të bëhet një hetim i pavarur, i paanshëm dhe transparent lidhur me përdorimin e tyre dhe me raste të tjera të vrasjeve e plagosjeve të paligjshme gjatë protestave, dhe të gjitha forcat e sigurisë përgjegjëse për përdorim të tepruar të forcës duhet të japin llogari. 

 “Të gjitha provat tregojnë se forcat irakene të sigurisë i përdorin këto granata ushtarake kundër protestuesve në Bagdad, duke marrë në shënjestër kokat ose trupat e tyre nga afër. Kjo gjë ka sjellë pasoja shkatërrimtare, duke qenë se në shumë raste granatat ua kanë çarë kafkën viktimave, duke rezultuar në plagë dhe vdekje të tmerrshme pas futjes së granatës në kokë” tha Lynn Maalouf, Drejtoreshë e Kërkimit për Lindjen e Mesme në Amnesty International. 

“Mungesa e përgjegjshmërisë për vrasjet dhe plagosjet e paligjshme të kryera nga forcat e sigurisë, përgjegjëse për shumicën dërrmuese të viktimave muajin e fundit, po jep mesazhin se ata mund të vrasin e gjymtojnë pa u ndëshkuar. Autoritetet duhet ta mbajnë nën fre policinë, të garantojnë hetime të shpejta, të paanshme, e të efektshme, dhe t’i ndjekin penalisht ata që janë përgjegjës.”