Wednesday, January 26, 2022

Amnesty International: OKB Duhet ta Hetojë Masakrën e 1988-ës në Iran

 

Në vigjilje të Ditës Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve të Detyruara më 30 gusht, Amnesty International të mërkurën i bëri thirrje Kombeve të Bashkuara që të nisin një hetim të pavarur mbi masakrën e mijëra të burgosurve politikë në 1988-ën në Iran.

“Refuzimi i vazhdueshëm i autoriteteve iraniane për të zbuluar fatin dhe vendndodhjen e mijëra disidentëve politikë të zhdukur me forcë dhe të ekzekutuar në mënyrë jashtëgjyqsore në fshehtësi gjatë masakrave të 1988-ës në burgjet e Iranit, ka shkaktuar një krizë që është shpërfillur për disa dekada nga komuniteti ndërkombëtar,” tha Amnesty International në faqen e saj të internetit më 28 gusht 2019.

“Vdekjet e mijëra viktimave mbeten të paregjistruara dhe, në mbarë vendin, ka mijëra trupa të humbur që janë varrosur në varre masive të paidentifikuara. Për më shumë se 30 vite, autoritetet iraniane nuk e kanë pranuar zyrtarisht ekzistencën e këtyre varreve masive dhe i kanë fshehur vendndodhjet e tyre duke u shkaktuar kështu vuajtje të pamasë familjeve që vazhdojnë ende të kërkojnë përgjigje për njerëzit e tyre të humbur,” shkruan grupi i të drejtave të njeriut.

Philip Luther, Drejtor i Kërkimit dhe Mbrojtjes për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut në Amnesty International, tha: “Familjet e atyre që janë vrarë në fshehtësi në masakrat e burgjeve në 1988-ën vazhdojnë të jetojnë në një makth. Ata dhe shumë të tjerë në Iran i përndjek fakti i mijëra trupave të humbur, të cilët kanë hedhur një hije mbi sistemin e drejtësisë në këtë vend, që vazhdon edhe sot.”

“Është e gabuar t’i shohim vrasjet masive të 1988-ës si ngjarje historike. Zhdukjet e detyruara vazhdojnë edhe sot dhe, pas 30 viteve, familjet e viktimave vazhdojnë të torturohen nga dhimbja dhe pasiguria lidhur me fatin e njerëzve të tyre,” shtoi ai.

Sipas ligjit ndërkombëtar, krimi i zhdukjes së detyruar do të vazhdojë deri kur shteti ta zbulojë fatin apo vendndodhjen e këtyre individëve dhe kjo kërkon që, kur personi i zhdukur zbulohet që është i vdekur, eshtrat e viktimës t’i kthehen familjes.

Informacion mbi masakrën e 1988-ës në Iran

Në verën e 1988-ës, regjimi iranian ekzekutoi në mënyrë jashtëgjyqësore dhjetëra mijëra të burgosur politikë nëpër burgje në mbarë Iranin.

Faktet:

  • Mbi 30,000 të burgosur politikë u masakruan në Iran në verën e 1988-ës.
  • Masakra u krye mbi bazën e një fatwa nga Khomeini.
  • Shumica dërrmuese e viktimave ishin aktivistë të opozitës Organizata e Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (PMOI, Mujahedin-e Khalq ose MEK).
  • Të gjitha dënimet me vdekje miratoheshin nga Komisionet e Vdekjes.
  • Alireza Avaei, anëtar i Komisioneve të Vdekjes, sot është Ministër i Drejtësisë në kabinetin e Hassan Rouhani-t.
  • Autorët e masakrës së 1988-ës nuk janë përballur asnjëherë me drejtësinë.
  • Më 9 gusht 2016, u publikua për herë të parë një regjistrim audio i ish-pasuesit të Khomeini-t, ku ai pohonte se kjo masakër ka ndodhur dhe urdhri për të është dhënë nga nivelet më të larta.