Friday, March 29, 2024

Dhoma e Përfaqësuesve të SHBA riautorizon projektligjin e sanksioneve për Iranin, vendos sanksione për Sir

E enjte, 17 nëntor 2016

Ligjvënësit e SHBA-së kaluan të martën projektligjin për rinovimin e sanksioneve ndaj regjimit të Iranit për 10 vjet dhe vendosjen sanksioneve të reja ndaj Sirisë, duke theksuar vendosmërinë e tyre për të luajtur një rol të fortë në politikën e Lindjes së Mesme pavarësisht se kush është në Shtëpinë e Bardhë.

Dhoma e Përfaqësuesve votoi me 419 vota pro dhe një kundër për një riautorizim 10-vjeçar të Dekretit të Sanksioneve ndaj Iranit, ose ISA, një ligj të miratuar për herë të parë në vitin 1996 për të ndëshkuar investimet në industrinë e energjisë të Iranit dhe për të penguar kërkimet në fushën e armëve bërthamore të regjimit iranian, njoftoi Reuters.
Edhe Senati i SH.B.A. do të votojë për të ripërtërirë sanksionet ndaj regjimin iranian për 10 vjet para fillimit të muajit të ardhshëm, tha të mërkurën kreu republikan i dhomës, duke e dërguar projektligjin në Shtëpinë e Bardhë, ku presidenti Barack Obama pritet ta nënshkruajë atë.
“Do të marrim projekligjin e Dhomës së Përfaqësuesve”, u tha gazetarëve udhëheqësi i shumicës në Senat Mitch McConnell në konferencën javore të shtypit të Senatit. “… Dhe do ta kalojmë atë.”
Dhoma po ashtu votoi të martën një projekt-ligj që do të sanksiononte qeverinë e Sirisë dhe përkrahësit, duke përfshirë Rusinë dhe regjimin iranian, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Masa kundër Iranit do të përfundojë në fund të vitit 2016, nëse nuk rinovohet. Ajo ende duhet të miratohet nga Senati dhe të nënshkruhet nga presidenti Barack Obama në mënyrë që të bëhet ligj.
Administrata e Obamës dhe fuqitë e tjera botërore arritën një marrëveshje vitin e kaluar në të cilin Teherani ra dakord për të frenuar programin e tij bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.
Por ligjvënësit thanë se donin që ISA të qëndronte në fuqi për t’i dërguar një mesazh të fortë se Shtetet e Bashkuara do t’i përgjigjen provokimeve të regjimi i Iranit dhe do t’i japë çdo presidenti të SHBA-së kompetencën për të rivendosur shpejt sanksionet, nëse Teherani shkel marrëveshjen bërthamore.
“Edhe pas zgjedhjeve të ashpra këtu në vend dhe kalimit të pushtetit në duar të tjera, lidershipi amerikan në skenën globale nuk do të dështojë,” tha Përfaqësuesi Eliot Engel, kreu demokrat në Komisionin e Punëve të Jashtme, nxitës i projektligjit.
Përfaqësuesi republikan Ed Royce, kryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme, promotori kryesor i projektligjit, e quajti ISA “një mjet të rëndësishëm.”
“Përfundimi i tij do të shtonte dëmin e bërë nga marrëveshja e rrezikshme bërthamore e presidentit dhe do të dërgonte mesazhin se Shtetet e Bashkuara nuk do të kundërshtojnë më rolin destruktiv të Iranit në Lindjen e Mesme,” tha Royce.
Votimi u zhvillua një javë pasi republikani Donald Trump u zgjodh president i SHBA. Republikanët në Kongres kundërshtuan njëzëri marrëveshjen bërthamore, bashkë me rreth njëzet e katër demokratë, dhe Trumpi po ashtu e ka kritikuar ashpër atë.
Ligjvënësit nga të dyja palët thanë se ata shpresojnë se mbështetja dypartiake për një linjë të ashpër kundër regjimit të Iranit do të vazhdojë edhe nën presidentin e ri.
Bazuar pjesërisht në raportet e telegrafit