Thursday, December 3, 2020

Ekspertët e OKB-së të Alarmuar nga Keqtrajtimi i Protestuesve të Arrestuar në Iran

Ekspertët e OKB-së më 20 dhjetor i bënë thirrje regjimit iranian që t’i lirojë të gjithë individët e arrestuar në mënyrë arbitrare dhe të keqtrajtuar gjatë protestave të fundit.

Mbi pesëmbëdhjetë ekspertë të Kombeve të Bashkurara për të drejtat njerëzore të premten i bënë thirrje regjimit iranian që t’i lirojë të gjithë individët e arrestuar në mënyrë arbitrare dhe të keqtrajtuar gjatë protestave të fundit.

“Jemi të tronditur nga raportet që tregojnë për keqtrajtimin e të arrestuarve gjatë protestave që u zhvilluan në nëntor 2019, dhe thellësisht të shqetësuar për faktin që përdorimi, sipas raporteve, i forcës së tepruar nga forcat iraniane të sigurisë ka çuar në një numër të pallogaritshëm viktimash, duke përfshirë vdekje,” thanë ekspertët e OKB-së

“Raportet tregojnë se të arrestuarit po torturohen ose po vuajnë nga forma të tjera keqtrajtimi, ndonjëherë për t’i detyruar të rrëfehen. Sipas raporteve, disave u mohohet trajtimi mjekësor, përfshirë për plagët e shkaktuara nga përdorimi i forcës së tepruar nga forcat e sigurisë, dhe mbahen në qendra të mbipopulluara paraburgimi. Disa mbahen të izoluar ose bëhen subjekt i zhdukjeve të detyruara.” 

Burimet zyrtare thonë se janë arrestuar të paktën 7,000 protestues, mijëra prej të cilëve mbahen ende në paraburgim, thotë deklarata për shtyp e ekspertëve të OKB-së.

Ekspertët kanë gjithashtu frikë se të arrestuarve do t’u mohohet e drejta e një procesi të drejtë gjyqësor për shkak të mos-zbatimit nga ana e regjimit iranian të standardeve për një proces të duhur gjyqësor, sidomos për ata që shprehin kundërshtim ndaj regjimit. 

“Zyrtarët e lartë kanë thënë se protestuesit do të marrin ndëshkime të rënda,” thanë ekspertët. “Kemi parë që televizioni shtetëror iranian ka transmetuar ‘rrëfime’ të ashtu-quajtura, pavarësisht pretendimeve se këto rrëfime nxirren me forcë. Gjithashtu, raportohet se shumë të arrestuarve u mohohet e drejta për të patur një avokat të zgjedhur nga vetë ata. 

“E nxisim Qeverinë dhe gjyqësorin që të bëjë të mundur që të gjithë të akuzuarit për krime të kalojnë përmes procedurave gjyqësore që i plotësojnë standardet ndërkombëtare të gjykimit të drejtë, duke përfshirë prezumimin e pafajësisë.” 

Sipas burimeve të besueshme, të paktën 304 njerëz, duke përfshirë 12 fëmijë, janë konfirmuar të vdekur, ndërkohë që raporte të pakonfirmuara tregojnë se totali mund të jetë mbi 400, thonë ekspertët. Numri i vdekjeve duket veçanërisht i lartë në provincat me popullsi të mëdha të minoriteteve etnike, shtojnë ekspertët. 

“Raportet dhe videot tregojnë se forcat iraniane të sigurisë jo vetëm që i kanë qëlluar me armë protestuesit e paarmatosur, por kanë marrë në shënjestër kokat e tyre dhe organet jetësore,” thonë ekspertët. 

“Marrja në shënjestër e këtyre pjesëve të trupit tregon se forcat e sigurisë kishin për qëllim të vrisnin ose të paktën të shkaktonin plagosje të rënda. Guvernatorja e Qytetit Quds e ka pohuar vetë publikisht se u ka dhënë urdhër forcave të sigurisë t’i qëllonin protestuesit që kishin hyrë në ndërtesën e guvernatores.

“Gjëja më shqetësuese është se familjet e individëve të vrarë nga forcat e sigurisë janë kërcënuar supozimisht që të mos e ngrenë zërin. Gazetarët iranianë janë urdhëruar të mos e kritikojnë përgjigjen e qeverisë, ndërsa të afërmve të gazetarëve që punojnë për agjenci lajmesh në gjuhën Farsi jashtë vendit po u bëhet presion në përpjekje për t’i heshtur.” 

Raportuesit Specialë dhe Grupet e Punës janë pjesë e asaj që njihet si Procedurat Speciale të Këshillit të të Drejtave të Njeriut. Procedurat Speciale, grupi më i madh i ekspertëve të pavarur në sistemin e të Drejtave Njerëzore të OKB-së, është emri i përgjithshëm i mekanizmave të pavarur të Këshillit për gjetjen e fakteve dhe monitorimin, të cilat trajtojnë ose situata të një vendi specifik, ose çështje tematike në të gjithë botën.