Wednesday, August 10, 2022

Fajtorët e Masakrës së Iranit Duhet të Vihen Përpara Drejtësisë

Në gusht 1988, regjimi iranian filloi ekzekutimin masiv të 30,000 të burgosurve politikë, kryesisht anëtarë dhe mbështetës të Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit (PMOI/MEK), nën urdhrat e Udhëheqësit Suprem Ruhollah Khomeini.

Qëllimi i Khomeini-t ishte të shfaroste opozitën kryesore ndaj sundimit të regjimit iranian, kështu që ai urdhëroi që të gjithë të arrestuarve që i përkisnin MEK t’u bëhej një gjyq fallco dhe më pas të ekzekutoheshin. Por, edhe pse ishte njeriu më i fuqishëm në Iran, ai nuk mund ta bënte këtë gjë i vetëm. Mijëra njerëz të Regjimit qenë bashkëpunëtorë në këtë masakër, që nga ekzekutuesit tek anëtarët e komisionit të vdekjes, e deri tek burokratët në burgje, dhe asnjëri nuk është vënë kurrë përpara drejtësisë për këto krime.

Në fakt, Khomeini vdiq i qetë më pak se një vit pasi kishte dhënë urdhrin për masakrën, ku urdhërohej që të vareshin edhe adoleshentët, të moshuarit, dhe gratë shtatzëna. Shumë nga anëtarët e tjerë të Regjimit që ishin të përfshirë në këtë krim kundër njerëzimit kanë shërbyer në disa nga pozicionet më të larta në Iran për dekada më pas, e disa prej tyre ende vazhdojnë në këto pozicione.

Një lëvizje e gjerë ndërkombëtare që bën thirrje për drejtësi është krijuar gjatë viteve të fundit, duke mbledhur prova dhe dëshmi rreth masakrës së 1988-ës nga të mbijetuarit dhe agjentët e inteligjencës së MEK të cilët kanë mundur të infiltrohen tek Regjimi.

Një organizatë jo-fitimprurëse e bazuar në Londër, Drejtësi për Viktimat e Masakrës së 1988-ës në Iran (JVMI), e përkushtuar ndaj drejtësisë për viktimat, ka nisur punën në vitin 2016 dhe ka nxjerrë një listë zyrtarësh që kanë qenë të përfshirë direkt në masakër, qoftë përmes ekzekutimit apo dënimit. Kjo listë nuk është e plotë, për shkak të nayrës së fshehtë të Regjimit Iranian, por gjithsesi tregon se si Regjimi Iranian ka kryer një barbarizëm pa u ndëshkuar. Këta janë vetëm disa nga emrat:

  • Lideri aktual Suprem Ali Khamenei (presidenti i atëhershëm)
  • Ish Presidenti Ali Akbar Hashemi Rafsanjani (atëherë- zëdhënës i parlamentit, tani nuk jeton më)
  • I nominuari për president në vitin 2017, Ebrahim Raisi (atëherë-anëtar i komisionit të vdekjes)
  • Ministri aktual i Drejtësisë Seyyed Alireza Avayi (atëherë-anëtar i komisionit të vdekjes)
  • Ish Ministër i Drejtësisë Mostafa Pour-Mohammadi (atëherë-anëtar i komisionit të vdekjes)

Të gjithë këta persona i kanë mbrojtur publikisht krimet e tyre. Pour-Mohammadi ka deklaruar madje se është “krenar” për përfshirjen e tij. Ata jo vetëm që nuk janë ndëshkuar, por edhe janë ngritur në detyrë.

Këta persona duhet të vihen përpara drejtësisë nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, dhe shpejt madje. Populli iranian, sidomos familjarët e viktimave, ka pritur tridhjetë vjet për drejtësi. A nuk mjafton kjo?