Saturday, May 28, 2022

“Gati ta përmbysim regjimin iranian”, takimi i Xhon Mekein me muxhahedinët e Tiranës

 Pasditen e 14 Prillit, pasi kishte kaluar disa minuta në takimet me krerët e shtetit shqiptar, senatori Xhon Mekein pati një vizitë në periferi të Tiranës, ku e prisnin një grup muxhaheidinësh.

Mekein, kreu i Komitetit të Shërbimit Ushtarak në Senatin Amerikan fillimisht u takua me Znj. Marjam Rajavi, e cila është Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit.

Përfaqësuesja e muxhaheidinëve dhe senatori amerikan diskutuan zhvillimet e fundit në Iran dhe të ardhmen e regjimit.

Më pas, Mekein vizitoi një nga qendrat e organizatës së popullit muxhaheidin, që janë zhvendosur në Tiranë nga Kampi i Lirisë, në Irak.

Mësohet se senatori Mekein përgëzoi muxhaheidinët për transferimin e suksesshëm nga Iraku, duke vlerësuar vendosmërinë dhe sakrificat e mëdha që kanë bërë anëtarët e këtij grupi.

“Nuk ka asnjë dyshim se njerëzit në këtë dhomë kanë vuajtur, dhe jo vetëm ata, por edhe njerëzit e tyre të dashur, për shkak të tiranisë në Iran. Ju keni qëndruar, keni luftuar, dhe keni sakrifikuar lirinë tuaj, për të drejtën e të jetuarit të lirë, për të drejtën e përcaktimit të vetë jetës së suaj, për të drejtat që jua ka dhënë vetë Zoti. Ju falenderoj që jeni një shembull, një shembull për të gjithë botën, se ata njerëz që janë gati të luftojnë dhe të sakrifikojnë për lirinë, do ta kenë atë, dhe ju jeni një shembull për të gjithë botën që po lufton këtë liri” ka thënë Mekein.

Ndërsa shprehu ngushëllimet për viktimat e tiranisë iraniane dhe falenderoi qeverinë shqiptare që ka pranuar të strehojë anëtarët e rezistencës.

“Një ditë Irani do të jetë i lirë dhe atë ditë do të mblidhemi bashkë në sheshin e lirisë në Teheran” premtoi Xhon Mekein.

Zonja Rajavi, presidentja e zgjedhur e rezistencës falenderoi senatorin amerikan për mbështetjen që i ka dhënë popullit të muxhaheidinëve për transferimin në Tiranë

“Sot ka një konsensus për rolin destruktiv të regjimit klerikal në rajon dhe se regjimi fetar fashist që sundon Irain është burim i luftës, terrorizmit dhe krizës në Lindjen e Mesme” u shpreh Rajavi në takim.

Ajo nënvizoi se ndryshimi i regjimit në Iran është i domosdoshëm, jo vetëm për t’i dhënë fund shkeljeve flagrante të të drejtave të njeriut, por edhe për të shmangur luftën dhe terrorin dhe për të vendosur paqe në rajon. Për sa kohë regjimi do të jetë në fuqi, ka thënë Rajavi, do të vazhdojë të eksportojë terrorizëm dhe fondamentalizëm.

Në emër të muxhaheidinëve Rajavi ka garantuar se populli i rezistencës është i vendosur dhe i përgatitur më shumë se kurrë për të përmbysur teokracinë dhe të vendos demokracinë dhe sovranitetin kombëtar në Iran.