Saturday, August 8, 2020

Grevë urie – Atefeh Rangriz lufton kundër padrejtësisë nga brenda burgut

19 tetor 2019

Atefeh Rangriz, studente sociologjie dhe aktiviste e punës, nisi një grevë urie në burgun famëkeq Qarchak në Varamin më 16 tetor 2019, për të protestuar ndaj trajtimit të saj të padrejtë në burg.

Atefeh Rangriz është dënuar me 11 vite e gjashtë muaj burg dhe 74 goditje me kamxhik. Në ditën e parë të grevës së urisë, ajo dërgoi nga burgu një letër të hapur. Më poshtë vijojnë disa pjesë të kësaj letre:

Më arrestuan më 1 maj 2019, gjatë tubimit të Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve. Pas katër ditësh, mund të lirohesha me kusht për 30 milion toman, por nuk më liruan.

Për 28 ditë, më kanë transferuar para e mbrapa në burgjet Qarchak dhe Evin dhe më kanë marrë në pyetje. Ndonëse u kisha thënë vazhdimisht në përgjigjet e mia se veprimtaritë e mia kishin qenë plotësisht të ligjshme, dhe se nuk mund t’i kuptoja pyetjet e tyre, në fund më vunë akuza krejtësisht të rreme e të fabrikuara…

E kam kundërshtuar vazhdimisht procedimin e paligjshëm të çështjes sime, duke përfshirë refuzimin e lirimit me kusht, dhe faktin që autoritetet nuk e kanë zbatuar parimin e ndarjes së kategorive të të burgosurve. Kam protestuar gjithashtu në mënyra të ndryshme ndaj dhënies së dënimeve të padrejta. Kjo është një përmbledhje e situatës së paligjshme që kam kaluar gjatë 5 muajve e 13 ditëve të fundit. Jashtë burgut, familja ime nuk ka marrë asnjë përgjigje për pyetjet e saj, dhe as unë nga brenda burgut…

Prandaj, kam bërë një armë nga trupi im për t’iu kundërvënë padrejtësive që kemi përjetuar dhe vazhdojmë të përjetojmë. Përmes kësaj letre, unë shpall se po nis një grevë urie për të protestuar pesë refuzimet e paligjshme të lirimit tim me kusht, si dhe për të protestuar dënimet e padrejta dhe mbajtjen time të paligjshme në Burgun Qarchak.

E di shumë mirë se mbrojtja e jetës sime nuk ka asnjë vlerë për ata që po luajnë me të. Kam vendosur ta duroj këtë vuajtje për të thyer heshtjen mbytëse që po e vret shoqërinë tonë civile dhe thirrjet tona të drejta.

Kështu që, po e mbyll këtë letër me dy fjalë të cilat kanë jehuar në mbarë historinë e njerëzve të shtypur, “Ose vdekje, ose liri.”

Atefeh Rangriz, Burgu Qarchak, 16 tetor 2019