Tuesday, November 30, 2021

Grupi i të Drejtave Njerëzore Publikon Raport të Ri mbi Masakrën e 1988-ës në Iran në Rastin e Ditës Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve të Detyruara

Grupi i të drejtave njerëzore Iran Human Rights Monitor ka publikuar një raport të ri, të quajtur “Zhdukjet e Detyruara në Iran dhe Masakra e 1988-ës,” në rastin e Ditës Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve të Detyruara më 30 gusht 2019.

Raporti i Iran HRM vë në dukje se regjimi iranian ka një histori të gjatë të shtypjes së kundërshtarëve të tij. Burgosjet e izoluara, rrëmbimet arbitrare, ekzekutimet pa procedurat e duhura, tortura dhe zhdukjet e detyruara janë disa nga praktikat që përdoren rëndom ndaj kundërshtarëv.

Intelektualët e studentët disidentë, grupet etnike dhe minoritetet fetare, si dhe anëtarët e mbështetësit e Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (PMOI, Mujahedin-e Khalq ose MEK) janë marrë gjithmonë në shënjestër, sipas raportit.

Me shtypjen brutale të demonstratave të fundit në Teheran e në qytete të tjera, që kërkonin lirinë në mënyrë paqësore më 20 qershor 1981, masat e rënda të regjimit morën një kthesë të fortë dhe arritën kulmin gjatë masakrës në 1988-ën të 30,000 të burgosurve politikë, shkruan Iran HRM më 29 gusht.

Raporti shton: “Në verën e 1988-ës nisi një valë vrasjesh intensive në burgjet Evin dhe Gohardasht, përkatësisht në Teheran e Karaj. Ekzekutimet masive u shtrinë pastaj edhe në burgjet e tjera në mbarë vendin. Dhjetëra mijëra të burgosur politikë, kryesisht anëtarë të PMOI-së, u bënë viktima të zhdukjeve të detyruara në Iran dhe u ekzekutuan në mënyrë jashtë-gjyqësore gjatë kësaj masakre.”

Shumë prej viktimave kishin vuajtur dënime të gjata me burg dhe prisnin të liroheshin. Disa prej tyre i kishin mbaruar dënimet e tyre po nuk ishin liruar. Të burgosurit, duke përfshirë gra dhe adoleshentë, i varnin pak minuta pas marrjes në pyetje nga anëtarët e komisioneve famëkeqe të vdekjes.

Një tjetër incident i rëndësishëm që ka ndodhur jashtë burgjeve por paralelisht me to, është zhdukja e detyruar e ish të burgosurve apo mbështetësve të PMOI/MEK dhe ekzekutimi i mëpasshëm i tyre, sipas grupit të të drejtave njerëzore.

“Viktimat vareshin nga piruni (i ngarkim-shkarkimit) dhe nga vinçat ose nga trarë në ndërtesa të papërfunduara, në grupe me nga pesë apo gjashtë persona në intervale gjysëm-orëshe gjatë gjithë ditës. Të tjerët vriteshin nga skuadrat e pushkatimit,” shkruan Iran HRM.

“Numri i të ekzekutuarve ishte shumë i madh për t’i varrosur individualisht. Ata i hidhnin kolektivisht nëpër hendeqe të gërmuara për këtë qëllim, të cilat përbënin varre masive. Kjo metodë ishte përdorur me raste në Teheran e gjetkë që nga viti 1981, por në 1988-ën u shndërrua në një procedurë sistematike për heqjen e trupave të të burgosurve.”

“Llogaritet se ekzistojnë mbi 120 varre masive nëpër Iran, të cilat mbajnë eshtrat e viktimave të zhdukjeve të detyruara në 1988-ën në Iran dhe të vrasjeve.”

Grupi i të drejtave njerëzore vë në dukje se shumë familjarëve të viktimave të masakruara nuk u është treguar asnjëherë për këto vrasje apo se ku janë varrosur njerëzit e tyre.

Krime në Vazhdim Kundër Njerëzimit

Për sa kohë që detajet e fateve dhe vendndodhjeve të personave të vrarë në mënyrë jashtë-gjyqësore mbeten të fshehura, krimet e zhdukjeve të detyruara, të kryera në çfarëdo kohe, do të vazhdojnë të mbeten si shkelje të të drejtave njerëzore që nuk janë subjekt i asnjë statuti kufizimesh.

Në dhjetor 2018, Amnesty International publikoi një raport 201-faqësh me titull “Sekrete të Ngjyera në Gjak: Pse masakrat e burgjeve të Iranit në 1988-ën janë krime në vazhdim kundër njerëzimit.” Amnesty International i bëri thirrje OKB-së që të niste një hetim të pavarur për t’i sjellë para drejtësisë ata që janë përgjegjës për këto krime të urryera.

Raporti i Iran HRM thotë se komuniteti ndërkombëtar dhe në veçanti OKB e kanë për detyrë të marrin gjithë masat e nevojshme për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë në këtë rast.

“Nëse Teheranit nuk i kërkohet llogari, kjo thjesht do t’i trimëronte autoritetet iraniane që të vazhdonin me shkeljet e tyre të rënda të të drejtave të njeriut.”

“E nxisim komunitetin ndërkombëtar, Këshillin e Sigurisë të OKB-së, Këshillin e të Drejtave Njerëzore të OKB-së dhe shtetet anëtare të saj, si dhe agjensi të tjera përkatëse të Kombeve të Bashkuara, Bashkimin Europian, të gjithë mbrojtësit e të drejtave njerëzore dhe drejtësisë që t’i japin fund pandëshkueshmërisë së atyre që janë përgjegjës për masakrën e 1988-ës.”

“Ka ardhur koha që Kombet e Bashkuara të nisin një mision ndërkombëtar të pavarur për gjetjen e fakteve, që të përcaktojë se cili ka qenë fati i viktimave të zhdukjeve të detyruara gjatë masakrës së 1988-ës në Iran,” shton grupi i të drejtave të njeriut.