Thursday, March 28, 2024

OKB Miraton Rezolutën e 66-të që Dënon Shkeljet e të Drejtave Njerëzore në Iran

Deklaratat e Maryam Rajavi-t: OKB miraton rezolutën e 66-të që dënon shkeljet e të drejtave njerëzore në Iran

MARYAM RAJAVI: Pandëshkueshmëria për liderët e regjimit duhet të marrë fund;

ata duhet të ndiqen penalisht për krime kundër njerëzimit

Znj. Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), ka mirëpritur miratimin e rezolutës së 66-të të Kombeve të Bashkuara që dënon shkeljet e rënda e sistematike të të drejtave njerëzore në Iran.Personat përgjegjës për shumicën e krimeve të cilave u është referuar rezoluta janë po ata njerëz që kanë kryer në mënyrë të vazhduar krime kundër njerëzimit gjatë katër dekadave të fundit, në veçanti, masakrën e 1988-ës ndaj të burgosurve politikë, tha znj. Rajavi, duke shtuar se kjo rezolutë rikonfirmon nevojën urgjente e të pamohueshme për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë për liderët kriminelë të këtij regjimi mesjetar dhe se ata të gjithë duhet të përballen me drejtësinë për 40 vite krime kundër njerëzimit.

Znj. Rajavi vuri në dukje se, ndonëse kjo rezolutë nuk ka adresuar shumë aspekte të shkeljeve flagrante të të drejtave njerëzore në Iran, si për shembull vrasjet sistematike të disidentëve jashtë vendit, shtypjen e protestave popullore, mohimin e të drejtës së popullit iranian për të marrë pjesë në të ardhmen e tij politike, mungesën e sundimit të ligjit, mohimin e aksesit në gjykata kompetente, dhe bllokimin e formimit të sindikatave e unioneve të pavarura, gjithsesi ajo e bën krejt të qartë që teokracia që sundon Iranin është abuzuesja më barbare dhe më skandaloze ndaj të drejtave njerëzore në botë sot. Kjo teokraci ka shkelur në mënyrë flagrante mbi të drejtat themelore të kombit iranian në të gjitha aspektet politike, shoqërore dhe ekonomike, nuk përputhet në asnjë mënhyrë me shekullin e 21-të, dhe prandaj duhet të dëbohet nga komuniteti botëror.

Presidentja e zgjedhur e NCRI-së theksoi se shembulli më i qartë e më i urryer i abuzimeve ndaj të drejtave njerëzore në Iran është masakra e 1988-ës ndaj 30,000 të burgosurve të pambrojtur politikë, në të cilën kanë qenë të përfshirë dhe të cilën vazhdojnë ta mbrojnë paturpësisht liderët e mëparshëm e aktualë të regjimit. Fatkeqësisht, deri më sot, ata kanë qenë imunë ndaj ndëshkueshmërisë. Heshtja dhe mosveprimi nga ana e OKB-së përballë këtij krimi të urryer kundër njerëzimit është një plagë në ndërgjegjen e njerëzimit. Kështu që, një hetim ndaj këtij krimi të tmerrshëm do të ishte test për komunitetin ndëkombëtar.

Rezoluta, e miratuar me 84 vota pro, shpreh shqetësim të thellë “lidhur me shpeshtësinë alarmuese të dhënies dhe kryerjes së dënimit me vdekje, [….] në shkelje të detyrimeve ndërkombëtare, duke përfshirë ekzekutimet e kryera kundër personave mbi bazën e rrëfimeve të detyruara me forcë ose për krime që nuk konsiderohen si krimet më serioze, duke përfshirë krime tepër të gjera ose të përcaktuara në mënyrë të mjegullt, në shkelje të Konventës Ndërkombëtare mbi të Drejtat Civile dhe Politike [….] dhënia e vazhduar e dënimit me vdekje kundër minorenëve [….] në shkelje të Konventës mbi të Drejtat e Fëmijës.”

Rezoluta shpreh gjithashtu alarm lidhur me “përdorimin e gjerë e sistematik të arrestimeve arbitrare [….] vdekjet e dyshimta në burg, [….] kushtet e këqija të burgjeve, praktikën e mohimit të qëllimshëm të aksesit të të burgosurve në trajtimin e duhur mjekësor, gjë që rezulton në rrezik për vdekje,” dhe shtypjen e “të drejtës për liri shprehjeje dhe opinioni, përfshirë në kontekstet dixhitale, dhe të së drejtës për liri shoqërimi e tubimi paqësor” dhe “diskriminimin e shkelje të tjera të të drejtave njerëzore kundër grave, duke përfshirë të drejtën për liri shoqërimi dhe tubimi paqësor dhe për liri shprehjeje e opinioni, [….] ngacmimin, frikësimin dhe persekutimin e kundërshtarëve politikë, mbrojtësve të të drejtave njerëzore, mbrojtësve të të drejtave të grave dhe minoriteteve, aktivistëve të unioneve të punëtorëve e profesioneve, mbrojtësve të të drejtave të studentëve, ambientalistëve, akademikëve, regjisorëve të filmave, gazetarëve, blogerëve, përdoruesve të mediave sociale dhe administratorëve të faqeve në mediat sociale, punonjësve të mediave, liderëve fetarë, artistëve, avokatëve, përfshirë avokatëve të të drejtave njerëzore, dhe familjeve të tyre dhe personave që i përkasin minoriteteve fetare të njohura e jo të njohura e familjeve të tyre,” [….] dhe “diskriminimin e shkelje të tjera të të drejtave njerëzore kundër presonave që i përkasin minoriteteve etnike, gjuhësore apo të tjera, duke përfshirë por jo duke u kufizuar tek arabët, azerët, balochi, kurdët dhe turkmenët, dhe mbrojtësit e tyre.”  

Sekretariati i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit

14 nëntor 2019