Saturday, October 16, 2021

I Burgosuri Politik Iranian në Grevë Urie si Protestë ndaj Mohimit të Trajtimit Mjekësor për Bashkë-Aktivistin

Soheil Arabi dhe Arash Sadeghi në burgun Evin-Teheran-Iran. Foto fajli

Shkruar nga Mohammad Sadat Khansari më 11 nëntor 2019.

Më 7 nëntor 2019, i burgosuri politik iranian Soheil Arabi, nisi një grevë urie në mbështetje të një të burgosuri tjetër të sëmurë në gjendje kritike, me emrin Arash Sadeghi. Z. Sadeghi vuan nga një formë e rrallë e kancerit të gjirit, e megjithatë zyrtarët e regjimit iranian ia kanë mohuar atij kujdesin e duhur mjekësor.

Soheil Arabi e shpalli grevën e tij në një letër të hapur të publikuar më 7 nëntor, ku thotë: “Një qenie njerëzore mund të mbahet gjallë pa ushqim e ujë, dhe unë nuk do të ha apo të pi deri në ditën kur Arash të transferohet për trajtim mjekësor.”  

“Arash ka kaluar gati një dekadë të jetës së tij prapa mureve të burgut për faktin se ka mbrojtur të drejtat e të shtypurve. Tani ai ka nevojë për trajtim urgjent mjekësor. Ai duhet të transferohet në spital, por autoritetet nuk ia kanë lejuar as këtë,” shkruan Arabi në letrën e tij.  

Nga fundi i shtatorit, autoritetet i thanë Sadeghi-t që do ta dërgonin në spital me uniformë burgu dhe me pranga në duar e këmbë, por Sadeghi refuzoi. Duke iu referuar kësaj çështjeje dhe duke e krahasuar atë me lehtësirat që përfitojnë të burgsurit e lidhur me regjimin, Arabi shkruan: “Kjo ndërkohë që kriminelët dhe plaçkitësit shumë të paktë që janë në burg për vjedhje në detyrë (nga dhjetëra të tillë që janë arratisur nga vendi ose nuk janë ndëshkuar asnjëherë) përfitojnë liridalje të gjata thjesht për një të ftohur.” Ai shton se ata nuk çohen në spital me pranga e me uniformë burgu.

Sadeghi ka humbur aftësinë të lëvizë krahun e djathtë për shkak të një infeksioni në shpatull që i është lënë pa mjekuar në burgun Rajai-Shahr (Gohardasht) në Karaj.

Që nga Qershori, autoritetet në tre raste kanë ndaluar dërgimin e Sadeghit në spital pa asnjë shpjegim, sipas një burimi pranë familjes së tij.

Sadeghi iu nënshtrua një operacioni për të hequr një tumor nga shpatulla e djathtë me 11 Shtator 2018.

Në gusht 2019, Amnesty International kërkoi aksion urgjent lidhur me kushtet shëndetësore të Sadeghi-t. 

 

Soheil Arabi, fotograf, bloger dhe aktivist civil, është arrestuar në dhjetor 2013 nga Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) të regjimit dhe është dënuar me vdekje për fyerje ndaj Profetit e shenjtërive të tjera.