Friday, March 29, 2024

Instagram po mbyll llogaritë e lidhura me komandantët e lartë iranianë të IRGC-së

16 prill 2019 – Një ditë pas etiketimit zyrtar të Gardës Revolucionare (IRGC) të regjimit iranian si “Organizatë e Huaj Terroriste” nga administrata e SHBA-së, faqet zyrtare të lidhura me IRGC-në në Instagram po mbyllen.

Kjo përfshin llogaritë e lidhura me shefin e IRGC-së, Mohammad Ali Jafari, shefin e forcave tokësore të IRGC-së, Mohammad Pakpour, shefin e Forcës Quds, Qasem Soleimani, shefin e shtabit të Forcave të Armatosura, Mohammad Bagheri si dhe me ish-oficerët e lartë të IRGC-së, Ezzatollah Zarghami, Ali Fadavi, dhe Kamali.

Instagram është media sociale që nuk filtrohet brenda Iranit nga mullahët sundues.

Këto mbyllje llogarish përfshijnë gjithashtu edhe Mohammad Bagher Ghalibaf, ish shef i policisë së shtetit dhe Kryebashkiak i Teheranit, si dhe zëvendës kreun e IRGC-së, Hossein Salami. Amir Ali Hajizadeh, komandant i Forcës Aerohapësinore të IRGC-së e ka ndryshuar foton e profilit për të parandaluar mbylljen e faqes së tij. Mediat shtetërore raportojnë se Instagram, pas mbylljes së llogarive të komandantëve të lartë të IRGC-së, po mbyll edhe faqet e atyre përdoruesve që kanë përdorur hashtag-un në gjuhën Farsi ku thuhet, “Edhe unë jam anëtar i IRGC-së.”

Agjensia e lajmeve Mehr, e lidhur me Ministrinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Regjimit, raportoi si vijon:

“Para kësaj, në përgjigje ndaj një reporteri të Fox News i cili pyeste nëse Qasem Soleimani konsiderohet ashtu si edhe lideri i ISIS, Abu Bakr al-Baghdadi, Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo u përgjigj, “Po. Ai është terrorist.”

Këto faqe Instagrami po mbyllen në vijim të mbylljes së mijëra llogarive nëpër media sociale, të lidhura me ushtrinë kibernetike të mullahëve, për shkak të fushatave të tyre të lajmeve të rreme. Këto mbyllje llogarish janë kryer nga platforma të ndryshme ku përfshihen Twitter, Facebook dhe Instagram.

 

Lexo më shumë:

Llogaritë e rreme të lidhura me regjimin iranian, të cilat përpiqen të manipulojnë mendimin politik në mbarë globin, janë marrë përsëri në shënjestër nga Facebook dhe Twitter, duke rezultuar në një valë të re mbylljesh nga këto dy media shumë të përdorura sociale.

Facebook ka shpallur fshirjen e 793 faqeve, grupeve dhe llogarive të lidhura me regjimin iranian. Të gjitha këto mediume përpiqeshin të manipulonin debatet politike në diskutimet mbi ngjarjet aktuale, duke përfshirë konfliktin Izrael-Palestinë, luftërat në Siri e Jemen, Irak e Liban. Administratorët e këtyre llogarive dhe faqeve zakonisht pretendonin se ishin vendas në të paktën 26 vende, si në Irak, Izrael, Afganistan, dhe SHBA, sipas Facebook. Është interesant fakti që këto mediume postonin gjithnjë mesazhe ku përsëriteshin përmbajtjet e meidave shtetërore iraniane.

Në përgjithësi, Twitter thotë se vëllimi i përmbajtjeve të lidhura me zgjedhjet po rritet.

“Ndryshe nga viti 2016, kemi identifikuar shumë më pak manipulim të platformës nga aktorë mashtrues me vendndodhje jashtë vendit,” shkroi në një postim blogu Carlos Monje, kreu i politikës publike në Twitter. “Megjithatë, si pjesë të shqyrtimeve tona të vazhdueshme, kemi gjetur operacione të kufizuara që kanë potencialin për të qenë të lidhura me burime brenda Iranit, Venezuelës dhe Rusisë.”