Saturday, March 28, 2020

Iran: Mbi 5,500 Njerëz Kanë Vdekur në 186 Qytete Për Shkak të Katastrofës së Koronavirusit

Iran: Shpërthimi i koronavirusit në mbarë vendin

Shkruar nga Sekretariati i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI) më 16 mars 2020.

Mobilizim represiv nën pretekstin e luftimit të Koronavirusit, për t’iu kundërvënë kryengritjes së të rinjve gjatë Festivalit të Zjarrit

Organizata Muxhahedine e Popullit të Iranit (PMOI/MEK) shpalli mbasditen e sotme, e hënë, 16 mars, se numri i viktimave të koronavirusit ka shkuar në mbi 5,500 në 186 qytete.

Numri i viktimave në Bobol dhe Ilam është mbi 250 dhe 120 përkatësisht. Përhapja e virusit në Tabriz është alarmuese dhe numri i vdekjeve në Azerbaixhanin Lindor është të paktën 150. Përveç provincave të tjera, numri i vdekjeve në Teheran është rritur në 750, në Gilan 681, në Khorasan Razavi 457 dhe në Yazd 80.  

Situata në Mazandaran mbetet ogurzezë, me të paktën 70 njerëz që kanë humbur jetën brenda 24 orëve të fundit. Gjatë dy ditëve të fundit në Sari, në qendrën e provincës, 770 njerëz janë shtruar në spital. Numri i mjekëve, infermierëve e stafit mjekësor që humbin jetën nga koronavirusi po rritet vazhdimisht. Vetëm në Babol, kanë vdekur katër vetë nga stafi i Universitetit të Shkencave Mjekësore, raporton Agjencia e Lajmeve e IRGC-së, Fars..

Kashani po përballet me një mungesë serioze shtretërish në spitale, dhe nuk ka kapacitet për pacientë të rinj. Ka gjithashtu mungesë maskash, dorezash, përparësesh mbrojtëse, dhe ilaçesh të domosdoshme. Sipas dëshmitarëve, të premten, më 13 mars, kanë vdekur plot 40 njerëz në Kashan. Qeveria nuk lejon mbylljen e fabrikave dhe kompanive në provincë, gjë që ka ndihmuar në përhapjen e mëtejshme të virusit. Mohammad Haji Jafari, zëvendës-president i Universitetit të Shkencave Mjekësore në Kashan, ka pohuar se 65 doktorë e anëtarë të stafit mjekësor janë infektuar dhe numri i vdekjeve ka arritur në 180.

Ndërkohë që edhe sipas statistikave të rreme të regjimit numri i viktimave po rritet çdo ditë, Hassan Rouhani, presidenti i regjimit, tha paturpësisht sot se, “Vendi e ka kaluar periudhën kulminante të shpërthimit të Koronavirusit.” Rreth dy javë më parë, ai kishte thënë se më 7 mars 2020, “Gjithçka do t’i kthehet normalitetit.”

Fashizmi fetar në pushtet nuk pranon t’i karantinojë epiqendrat e përhapjes në mënyrë që të shmangë kostot e kësaj gjëje. “Nuk kemi asgjë që mund të quhet karantinë … të gjithë janë të lirë të vazhdojnë veprimtaritë dhe punët e tyre,” tha dje Rouhani. “Karantinimi i Teheranit është një gënjeshtër e madhe,” theksoi Ali Rabiei, zëdhënësi i Rouhani-t. “Nuk do të ketë asnjë ndryshim në oraret e hapjes së dyqaneve, furrave të bukës e bizneseve të tjera,” shtoi ai.

Në të njëjtën kohë, Kryebashkiaku i Teheranit Pirouz Hanachi pranoi se, “Masat e karantinës, si furnizimi me mallra dhe kompensimi (i bizneseve, etj.), nuk mund të implementohen në vend, prandaj karantinimi nuk mund të implementohet plotësisht.” Kjo ndërkohë që kostot e shërbimeve të tilla mund të mbulohen lehtësisht nga qindra biliona dollarët e pasurisë së popullit iranian që janë vjedhur nga IRGC, zyra e Khamenei-t, dhe institucione si zyrat qendrore ekzekutive të Khomeini-t, “Fondacioni Mostazafan”, “Fondacioni i Martirëve”, dhe Astan-e Quds Razavi.

Në një zhvillim tjetër, nën pretekstin e luftimit të koronavirusit, po merren masa represive për t’iu kundërvënë kryengritjes së të rinjve gjatë Chaharshanbe Suri (Festivali i Zjarrit). Të rinjtë e rebeluar, me sllogane si “përgjigjja ndaj Khamenei-t është zjarri” po përgatiten për Festivalin e Zjarrit që do të bëhet mbrëmjen e së martës së fundit para Vitit të Ri Pers më 20 mars. Sipas njoftimit zyrtar të regjimit, “Divizioni i 16-të i Armatosur i Qazvin, së bashku me brigadën e 116-të Safavi, brigadën e 216-të Zanjan, dhe brigadën e 316-të Hamadan, janë drejtuar për në provincën Gilan për të luftuar koronavirusin … Këto forca do të jenë atje derisa misioni të përfundojë. Ato do të kenë një qëndrim të përhershëm në provincën Gilan, megjithëse plani ishte për dy muaj”.

Zëvendës Komandanti Operacional i Forcave të Sigurisë në Ilam, Kolonel Hamid Fattahi, tha gjithashtu se, “Festivali i Zjarrit i këtij viti është ndryshe nga vitet e tjera, dhe policia do të parandalojë me forcë çdo tubim apo event.” Komandanti për parandalimin në Forcat Shtetërore të Sigurisë në  Teheranin e Madh shpalli se 1,800 patrulla janë mobilizuar gjatë periudhës së Novruzit.”

Sekretariati i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI)