Tuesday, March 31, 2020

Iran: Numri i Vdekjeve nga Koronavirusi Arrin Majat, Mbi 9,600 të Vdekur në 210 Qytete

22nd March 2020

FacebookTëitterPrintEmailPinterestMore2

Iran: Shpërthimi i COVID-19, spitali Kamkar, Qom

Maryam Rajavi: Komentet e Khamenei-t tregojnë krizën e regjimit, frikën nga kryengritjet

Organizata Muxhahedine e Popullit të Iranit (PMOI / MEK) shpalli mbasditen e sotme, 22 mars 2020, se numri i vdekjeve nga Koronavirusi ka shkuar në mbi 9,600 në 210 qytete të Iranit.

 Numri i viktimave në provincën Teheran është të paktën 1,500, në Ardabil 120, në Kerman 160, në Mazandaran 620, në Isfahan 690, në Golestan 490, në Lorestan 180, dhe në Qazvin 250. Në Qazvin, spitalet janë të mbushura me pacientë, madje edhe Qendra Ndërkombëtare e Ekspozitave e Qazvin i është kushtuar pacientëve me koronavirus. Në të njëjtën kohë, numri i viktimave në Qazvin e në qytete të tjera, duke përfshirë Kordkuy, Maku, Neyshabur, Semnan, dhe Aliabad, po rritet dita ditës.

Lidhur me këtë situatë të rëndë, dhjetë ish-drejtorë të Organizatës së Sigurimit Shëndetësor i kanë shkruar Hassan Rouhani-t se: “Nisur nga llogaritjet e gabuara të shkurtit, nëse nuk merren masa të menjëhershme sot, do të kemi probleme shumë të mëdha në fund të këtij muaji (19 prill 2020), probleme të cilat, përveç dëmtimit të shëndetit publik, do të prekin rëndë edhe degën ekzekutive”.

Ndërkohë, Hassan Ghazizadeh Hashemi, ish-Ministri i Shëndetit në kabinetin e Rouhani-t, tha sot se, ”Që në mes të dhjetorit ua kam shprehur shqetësimet e mia lidhur me shpërthimin e koronavirusit zyrtarëve të lartë të vendit, madje edhe presidentit. Megjithatë, shumica e përpjekjeve të mia kanë qenë të paefektshme deri tani.”

Në këto rrethana, sot, Ali Khamenei ia kushtoi një pjesë të madhe të fjalimit të tij 40-minutësh predikimeve të përsëritura, duke e përmendur problemin e virusit vetëm në fund fare, ku shpjegoi pse kishte refuzuar ta pranonte ndihmën e Shteteve të Bashkuara për të luftuar Koronavirusin.

Khamenei tha: “Së pari, ju (Shtetet e Bashkuara) po përballeni vetë me mungesa … Nëse keni ndonjë gjë, përdoreni vetë. Së dyti, dyshohet se ju e keni prodhuar virusin. Duhet të jemi të çmendur që të besojmë se po do na sillni ilaçe. Ilaçet tuaja madje mund ta përhapin edhe më tej sëmundjen apo ta stabilizojnë virusin. Ose, nëse dërgoni mjekë, ndoshta doni t’i testoni nga afër efektet toksike të virusit që keni krijuar. Sepse thuhet se, nisur nga njohuritë rreth gjeneve iraniane, një pjesë e virusit është krijuar enkas për Iranin.”

Znj. Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), tha: Dërdëllitjet e cekëta e demagogjike të Khamenei-t reflektojnë, përveç mizorisë së tij ndaj pacientëve (me Koronavirus), dëshpërimin dhe pasivitetin e tij që rrjedh nga rruga pa krye ku ndodhet regjimi, si dhe shqetësimin nga kryengritjet popullore. Ndërkohë që kjo katastrofë ka përfshirë gjithë Iranin dhe numri i viktimave vazhdon të rritet, Khamenei nuk ofron asnjë zgjidhje, madje as një premtim për ta ndihmuar popullin.

Znj. Rajavi shtoi: Gjepurat e Khamenei-t rreth prodhimit të virusit nga SHBA janë një përpjekje e dëshpëruar për të mbuluar paaftësinë e regjimit në luftimin e kësaj sëmundjeje dhe rolin kriminal të mullahëve në përhapjen eksplozive të virusit në mbarë vendin, si dhe për ta drejtuar zemërimin dhe neverinë e popullit drejt SHBA-së. Por këto justifikime nuk bëjnë punë më dhe vetëm sa e përkeqësojnë zemërimin e popullit.

Sekretariati i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI)
22 mars 2020