Home Statements Iran: Numri i Vdekjeve nga Koronavirusi Arrin në 1,200

Iran: Numri i Vdekjeve nga Koronavirusi Arrin në 1,200

0
Iran: Numri i Vdekjeve nga Koronavirusi Arrin në 1,200

Iran, Qom, spitali Kamkar, vendi ku mbahen pacientët me COVID-19

Khamenei e trajton paturpësisht përhapjen e Koronavirusit si jo ndonjë gjë të madhe, pretendon se regjimi i tij ka qenë transparent në informimin e publikut që në fillim!

Organizata e Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (PMOI /MEK) shpalli të martën më 3 mars 2020, se deri në 8:00 pasdite, sipas orës lokale, numri i vdekjeve në mbarë vendin nga Koronavirusi kishte shkuar në mbi 1,200.

Raportet tregojnë se kanë humbur jetën 300 viktima në Qom, 215 në Teheran, 70 në Rasht, 12 në Lahijan, 6 në Astaneh, 60 në Mashhad, 43 në Isfahan, 23 në Kashan, 10 në Dastgerd, 54 në Gorgan, 45 në Arak, 45 në Kermanshah, 38 në Shiraz, 39 në Karaj, 23 në Khorramabad, 20 në Qazvin, 10 në Zahedan, 16 në Iranshahr, 12 në Boushehr,  dhe mbi 100 në provincën Mazandaran.

Ka patur disa viktima edhe në qytete të tjera, përfshirë Ardabil, Zanjan, Khorramdareh, Saqqez, Baneh, Azadshahr, Gonbad, Chaypareh, Urmia, Ilam, Samaleh, Salehshahr, Mahshahr, Ahvaz, Andimeshk, Sarbandar, Tabriz, Bonab, Saveh, Zarand, Qods, Najafabad, Homayounshahr, Kiashahr, Amlash, Siahkal, Yasuj, Malayer, Hamedan, Neyshabur, Kashmar, Eslamabad-e-Gharb, Nowshahr, Sorkheh Hesar, Semnan, Shahroud, Yazd, Buin Zahra, Takestan, dhe Bandar Abbas. Mes viktimave janë edhe disa aktivistë dhe anëtarë të Njësive të Rezistencës që janë të lidhura me Muxhahedinët e Popullit (PMOI/MEK), të cilët e kanë marrë virusin duke u ardhur në ndihmë bashkatdhetarëve të infektuar.

Përhapja e shpejtë e virusit në Iran dhe transmetimi i tij në vendet e tjera të botës është rezultat i fshehjeve, gënjeshtrave e keqinformimeve të publikut për javë të tëra. Por Khamenei tha paturpësisht, “kjo nuk është ndonjë katastrofë e madhe, kemi patur probleme më të mëdha.” Ky është një “problem kalimtar” dhe jo ndonjë gjë “e jashtëzakonshme”. Ai vazhdoi, “Zyrtarët tanë e kanë informuar publikun që në fillim me besim, ndershmëri, e transparencë, dhe e kanë mbajtur publikun të informuar, por disa vende të tjera ku shpërthimi i virusit është më i rëndë dhe më epidemik po e fshehin problemin.” Dje, Ali Rabiei, një nga ithtarët e IRGC-së, dhe zëdhënës për Rouhani-n, pretendoi se regjimi iranian ka patur përqasjen më transparente për sa i përket Koronavirusit.

Masoud Pezeshkian, zëvendës-kryetari i parë i parlamentit të regjimit dhe ish-ministër i shëndetit, pranoi se, “Duhej ta kishim vënë në karantinë qytetin Qom që në fillim… kjo sëmundje nuk është shaka, siç po e trajtojmë ne.” “Spitalet janë të mbipopulluara dhe nuk ka vend për pacientë të tjerë, dhe gjërat do të përkeqësohen nga dita në ditë. Ekonomia dhe gjithçka do të shkatërrohet, nuk është shaka. Çfarë do të kishte ndodhur po ta kishin mbyllur vendin për 15 ditë? (duke iu referuar shpërthimit të parë në qytetin Qom). Po ta kishim bërë këtë ditën e parë, nuk do të ishte përhapur në të gjithë vendin.” Ai shtoi, “Shifrat e dhëna nuk janë të vërteta, pasi një numër pacientësh nuk kanë simptoma. Gjejmë 95 njerëz dhe dy vdesin, pastaj themi 2 kanë vdekur nga 100, ndërkohë që ndoshta vetëm 2% nga 10,000 kanë vdekur” tha Pezeshkian.

Bahram Parsai, një parlamentar i regjimit tha sot, “Realiteti shkon përtej statistikave… dhe nëse bota nuk u vjen në ndihmë mjekëve tanë vetëmohues, do të humbasim të gjithë.” Gazeta Resalat e cila ka lidhje me Khamenei-n, shkroi: “Nuk mundemi thjesht ta mohojmë përhapjen e virusit deri më 19 shkurt, (ditën para zgjedhjeve të regjimit) dhe pastaj papritmas ditën tjetër të fillojmë e të recitojmë se sa i rrezikshëm është Koronavirusi dhe për mundësinë e përhapjes së tij në mbarë vendin.” Një editorial në të përditshmen Ebtekar më 2 mars 2020 pohon se, “Ajo që i bën këto kriza më kritike e më katastrofike është humbja e besimit të publikut.”

Znj. Maryam Rajavi, presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), duke iu referuar komentit të paturpshëm të Khamenei-t, tha, “E vetmja gjë që ka rëndësi për këtë regjim dhe për zyrtarët e tij është mbajtja e pushtetit. Jetët, shëndeti dhe burimet e popullit nuk kanë asnjë vlerë për mullahët në pushtet. Populli iranian ka pësuar dëmet dhe humbjet më të mëdha nën sundimin e tyre, si rezultat i luftërave të jashtme, represionit brenda vendit, varfërisë, papunësisë, dhe sëmundjeve.”

Sekretariati i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI)

3 mars 2020

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here