Saturday, June 6, 2020

Iran: Numri i vdekjeve nga koronavirusi arrin në 8,200 në 200 qytete

XShkruar nga Sekretariati i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI)

20 Mars 2020

Iran: Numri i vdekjeve nga koronavirusi arrin në 8,200 në 200 qytete

Organizata Muxhahedine e Popullit të Iranit (PMOI / MEK) shpalli mbasditen e sotme, 20 mars 2020, se numri i viktimave të koronavirusit ka shkuar në mbi 8,200 në 200 qytete të Iranit. Numri i viktimave në Teheran është të paktën 1,300, në Khorasan Razavi 800, në Isfahan 660, në Azerbaixhanin Perëndimor 350, Kermanshah 240, dhe në Fars 200.

Monopoli i IRGC-së dhe Zyrës së Khamenei-t mbi shërbimet mjekësore, shpërndarja e padrejtë e shërbimeve, dhe mospranimi për t’i ofruar ndihmë popullit nga qendrat financiare si “Qendra për Ekzekutimin e Urdhrit të Imam Khomeini-t,” Astan-e Quds Razavi, Fondacioni Mostaz’afan, Fondacioni i Martirëve e të tjerë kanë çuar në rritje tronditëse të numrit të viktimave. Në mungesë të mbështetjes më minimale nga qeveria, shumë njerëz, sidomos punëtorët dhe sektorët e varfër, detyrohen të shkojnë në vende pune ku kanë rrezik të infektohen, për të fituar bukën e gojës.

Në mesazhet e tyre për Vitin e Ri sot, Khamenei dhe Rouhani të cilët, më shumë se gjithçka tjetër, kanë frikë nga shpërthimi i kryengritjeve popullore, u përpoqën ta minimizonin shkallën e katastrofës së koronavirusit. Në mesazhin e tij, Khamenei iu referua eliminimit të Qassem Soleimani-t tre herë, duke e përshkruar atë si ngjarjen më të rëndësishme të vitit 1398 (viti i mëparshëm iranian). Pa iu referuar aspak katastrofës së koronavirusit që ka goditur mbarë vendin, ai tha paturpësisht se, gjatë shpërthimit të sëmundjes (Koronavirusit) së kohëve të fundit, sakrificat ishin aq mbresëlënëse, saqë edhe njerëzit në vendet e tjera i kanë lavdëruar shërbimet!!

Rouhani, duke u treguar edhe më i pacipë se Khamenei, u mjaftua duke thënë se Koronavirusi e ka vënë në rrezik shëndetin dhe jetën e popullit, duke shtuar menjëherë se, “Numri i shtretërve në spitalet tona është shtuar dyfish në gjashtë vitet e fundit. Gjendja e pajisjeve tona spitalore është më e mirë se në çdo kohë tjetër.” Kjo ndërkohë që, jo vetëm që spitalet vuajnë nga gjendja e keqe, por edhe morgjeve e varrezave u mungon kapaciteti për të mbajtur të vdekurit.

Dje, pesë ministra të shëndetit, duke përfshirë ata që kanë shërbyer gjatë presidencave të Mir Hossein Moussavi, Akbar Hashemi Rafsanjani, Mohammad Khatami, dhe Mahmoud Ahmadinejad, së bashku me 17 shkencëtarë mjekësorë i shkruan Rouhani-t se një muaj pas shpërthimit të Koronavirusit, “Trendi i sëmundjes dhe pasojat e saj po rriten eksponencialisht dhe nuk kanë parë rënie në asnjë moment… Nëse ky trend nuk kontrollohet dhe nuk jepet asnjë zgjidhje e efektshme, është e sigurtë që do të ketë rritje në viktima e dëme.” Letra mbyllet duke thënë, “Të mos i zbatosh këto rekomandime do të thotë të luash me jetët e njerëzve. Vonesa në vendim-marrje do të sjellë dëme të pandreqshme dhe do të çojë në vdekjen e një numri më të madh bashkatdhetarësh tanë.” Nënshkruesi i parë i kësaj letre është Alireza Marandi, ish-Ministri i Shëndetit, kryetari aktual i Enciklopedisë së Shkencave Mjekësore dhe mjeku personal i Khamenei-t.

Sekretariati i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit
20 mars 2020