Wednesday, December 2, 2020

Iran: Presidenti Pranon se Ekonomia Është Bërë Zhele

Nga Shahriar Kia

Kur Presidenti amerikan Donald Trump e paralajmëroi regjimin iranian se do të tërhiqej nga Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPoA), ose pakti bërthamor i 2015-ës me Iranin, Irani kërcënoi se edhe ai do të tërhiqej. Në fund Trump vendosi ta nxirrte SHBA-në nga marrëveshja, por kërcënimi i Iranit nuk u materializua asnjëherë.

Sidoqoftë, regjimi iranian, pavarësisht sanksioneve të rënda ekonomike që u vunë mbi të, ka vazhduar si zakonisht, duke pretenduar madje se presioni i Trump nuk po ndikon mbi ekonominë. Megjithatë, ka qenë gjithmonë e qartë për ata që e shohin nga jashtë se pasojat ekonomike kanë qenë të pamasa, dhe tashmë edhe zyrtarët e regjimit po e pohojnë këtë.

Së fundmi, presidenti Hassan Rouhani e ka pranuar haptazi se ekonomia e vendit është në gjendjen më të keqe që ka qenë ndonjëherë gjatë katër dekadave. Ai, siç pritej, fajësoi Shtetet e Bashkuara. Për më tepër, tha se qeveria iraniane nuk ka të bëjë fare me krizën aktuale ekonomike.

Megjithatë, Shtetet e Bashkuara, ashtu si edhe populli i Iranit që ka protestuar gjatë gjithë 2018-ës, e di se qeveria iraniane, dhe në veçanti korrupsioni i gjerë dhe keqmenaxhimi për të cilin ajo është përgjegjëse, është shkaku i vërtetë i problemeve ekonomike.

Punëtorë nga shumë sektorë të ndryshëm, duke përfshirë fermerët, dyqanxhinjtë, mësuesit, dhe në veçanti shoferët e kamionëve, kanë zhvilluar protesta gjatë 12 muajve të fundit për shkak të mospërfilljes së qeverisë ndaj situatave të tyre.

Protestat dhe demonstratat anti-qeveritare kanë ushtruar presion të lartë të brendshëm mbi regjimin klerikal dhe disa herë janë bërë të dhunshme, përballë masave shtypëse të agjentëve të sigurisë.

Shumë njerëz janë arrestuar e shumë të tjerë janë vrarë gjatë protestave, si dhe janë përhapur gjerësisht thirrjet për ndryshim regjimi. Populli, me shumë të drejtë, po e mban regjimin përgjegjës për fatkeqësitë e vendit. E megjithatë Rouhani vazhdon të mos e pranojë se regjimi ka luajtur një rol thelbësor në këtë gjë.

Në uebsitin presidencial të vendit, Rouhani deklaroi: “Sot vendi po përballet me presionet dhe sanksionet ekonomike më të mëdha në 40 vitet e fundit. Sot problemet tona vijnë kryesisht për shkak të presionit nga Amerika dhe ndjekësit e saj. Dhe nuk duhet t’i vihet faji qeverisë së devotshme e sistemit islamik.”

Populli i Iranit po varfërohet gjithnjë e më shumë dhe shumë njerëz po bien në kategorinë e varfërisë absolute. Iraniani i rëndomtë i klasës së mesme e ka të vështirë të përballojë shërbimet bazë dhe kushtet e punës janë të tmerrshme.

Për vite të tëra, regjimi iranian e ka shpërdoruar pasurinë e kombit për konflikte e veprimtari jashtë vendit dhe populli iranian është ai që ka vuajtur më shumë e më gjatë se askush tjetër. Situata po vështirësohet ndërkohë që regjimi dëshpërohet gjithnjë e më shumë për shkak të presionit intensiv që po ushtrohet mbi të – jo vetëm nga brenda vendit, por edhe nga fronti ndërkombëtar.

Shumë njerëz i kanë humbur të gjitha kursimet e tyre dhe nuk kanë akses në shërbimet shoqërore. Shtetet e Bashkuara kanë qenë proaktive në lidhje me regjimin iranian, ndërsa BE kryesisht e ka shpërfillur situatën. Sidomos atë të të drejtave njerëzore. Është e domosdoshme që regjimi iranian të mbahet përgjegjës për veprimet e tij.