Saturday, October 16, 2021

Mike Pompeo: Regjimi Iranian do të Përballet me ‘Izolim, Sanksione’ të Mëtejshme

Regjimi iranian do të përballet me sanksione të mëtejshme si përgjigje ndaj shkeljes së të dielës ndaj kufizimeve mbi pasurimin e uraniumit, ka thënë Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo.

“Zgjerimi më i fundit që Irani po i bën programit të tij bërthamor do të çojë në izolim e sanksione të mëtejshme,” tha të dielën në Twitter diplomati i lartë amerikan.

“Vendet duhet ta rikthejnë standartin e vjetër të mos-pasurimit për programin bërthamor të Iranit. Regjimi i Iranit, i armatosur me armë bërthamore, do të paraqiste një rrezik edhe më të madh për botën,” shtoi Sekretari Pompeo.

Zyrtarët e regjimit iranian thanë më herët të dielën se Teheranin e ndanin vetëm disa orë nga shkelja e kufizimit të vendosur nga pakti bërthamor i 2015-ës, i lidhur me fuqitë ndërkombëtare, por pakt nga i cili Shtetet e Bashkuara u tërhoqën vitin e shkuar.

Ministria e Jashtme e Gjermanisë tha të dielën se Berlini është tepër i shqetësuar lidhur me shkeljen e paktit bërthamor nga Teherani.

“Gjermania, ashtu si vendet E3 dhe partnerët tanë të BE-së, është tepër e shqetësuar në lidhje me shpalljen e Iranit se ka nisur pasurimin e uraniumit përtej tavanit 3.67 përqind të vendosur nga JCPOA,” tha një zëdhënës për Ministrinë e Jashtme, duke iu referuar tre vendeve europiane, Gjermanisë, Francës dhe Britanisë, të përfshira në paktin bërthamor të Iranit.

“E nxisim Iranin që t’i ndalë dhe t’i kthejë mbrapsht të gjithë hapat që nuk përputhen me angazhimet e Iranit nën JCPoA-në. Kjo përfshin shkeljen e limitit të vendosur nga  JCPoA mbi rezervat e uraniumit të pasuruar në nivele të ulëta,” tha zëdhënësi.

Bazuar pjesërisht në raporte lajmesh