Thursday, August 18, 2022

Mirëpritet Vendimi i Gjykatës Gjermane për të Ekstraduar Diplomatin Terrorist të Regjimit Iranian në Belgjikë për Gjykim

Sulmi mbi tubimin iranian në Paris ishte miratuar nga Khamenei, Rouhani dhe Zarif

Gjykata Supreme e shtetit në Bamberg, Gjermani, ka rënë dakord për ekstradimin e diplomatit të regjimit klerikal, Assadollah Assadi, në Belgjikë.

Deklarata e gjykatës përsërit: “Janë plotësuar të gjitha kushtet e ekstradimit dhe nuk ka asnjë pengesë për ekstradimin.” I akuzuari nuk mund të “kërkojë imunitet diplomatik” dhe “vazhdimi i procedurave të ekstradimit është përgjegjësi e prokurorit të përgjithshëm në Bamberg.”

Kështu, përpjekjet intensive të diktaturës fetare e terroriste që sundon Iranin për ta shpëtuar diplomatin terrorist, i cili planifikoi dhe organizoi bombardimin mbi tubimin e madh iranian në Paris më 30 qershor, dështuan. Që nga arrestimi i Assadi-t në Gjermani më 1 korrik 2018, mullahët i kanë bërë të gjitha përpjekjet, me kërcënime, frikësime e presion mbi vendet europiane, për ta rikthyer atë në Austri që t’i shpëtojë drejtësisë. Assadollah Assadi është përfshirë në vrasje e spiunazh gjatë tre dekadave të fundit, dhe PMOI e ka zbardhur historinë e tij kriminale e terroriste në Irak që 10 vjet më parë.

Vendimi për të kryer këtë krim të madh terrorist është marrë në nivelin më të lartë të regjimit, d.m.th. në Këshillin Suprem të Sigurisë, me praninë e Rouhani dhe Zarif, dhe është konfirmuar nga Khamenei. Përpjekjet e nënshtruara të regjimit iranian dhe të lobuesve e aleatëve të tij për t’ia vënë fajin për këtë akt terrorist qarqeve të rreme vetë-vepruese brenda regjimit dhe për të shfajësuar grupin e Rouhani-t apo Khamenei-n, janë kaq të pabaza saqë, me hetimin më të vogël, zbulohet fiktiviteti i tyre.

Me fillimin e kryengritjes së popullit iranian në dhjetor 2017, regjimi ka gjetur shpëtim në përkeqësimin e shtypjes dhe eksportit të terrorizmit. Shembuj të këtyre masave janë dy komplotet e dështuara kundër Muxhahedinëve në mars të këtij viti në Shqipëri, dhe sulmi mbi komunitetin iranian në Paris në qershor të këtij viti, si dhe arrestimi i dy agjentëve të inteligjencës në Shtetet e Bashkuara në gusht, të cilët spiunonin Muxhahedinët.

Rezistenca iraniane e mirëpret vendimin e Gjykatës Supreme të Bamberg dhe vë theksin në nevojën për të përshpejtuar procedurat gjyqësore për rastin e projektit më të madh terrorist iranian, të sponsorizuar nga shteti, dhe të komandantit operacional të këtij projekti, Assadollah Assadi, si dhe për të zbardhur të gjitha detajet e këtij rasti. Terrorizmi shtetëror i regjimit iranian duhet t’i referohet Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara.

Mosveprimi përkundrejt terrorizmit të papenguar të mullahëve, në të cilin janë të përfshirë vetë diplomatët e regjimit, e lë të hapur rrugën për vazhdimin e krimeve nga regjimi klerikal. Për këtë arsye, Bashkimi Europian dhe të gjitha vendet europiane duhet të ndërmarrin një politikë decizive. Shembuj të kësaj politike janë përjashtimi i të gjithë agjentëve të inteligjencës së regjimit, atyre që punojnë si diplomatë, apo atyre që punojnë nën maskën e një gazetari apo biznesmeni, apo nën maska të tjera. Ambasadat dhe Përfaqësimet e regjimit duhet të mbyllen dhe ambasadorët europianë duhet të tërhiqen nga Irani.

Sekretariati i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit
1 Tetor 2018