Sunday, October 25, 2020

“Nëse e Di të Vërtetën dhe e Quan Gënjeshtër, Atëherë Je Kriminel”

Nga Alejo Vidal Quadras 

Artikulli i The Guardian në datën 9 nëntor, “Terrorists, cultists – or champions of Iranian democracy? The wild wild story of the MEK,” (Terroristë, anëtarë kulti – apo kampionë të demokracisë iraniane? Historia e pazakonte e MEK) është një shembull i turpshëm i mënyrës se si media perëndimore i shërben interesave të diktaturës fetare e terroriste që sundon Iranin.

Fakti që tre faqe të një gazete që dikur lavdërohej si zëri i disidentëve e luftëtarëve të lirisë i kushtohen një bombardimi me deklarata bajate e absolutisht të rreme është një njollë mbi shtypin e lirë të Europës. Ministri i Hitlerit për propagandën, Joseph Goebbels, pati thënë dikur, “Thuaj një gënjeshtër aq të madhe sa duhet, dhe përsërite aq shpesh sa duhet, dhe e gjithë bota do ta besojë.” Me sa duket, autori Reza Arron Merat e ka ndjekur këshillën e Goebbels.

Vetë koha e publikimit të këtij artikulli mashtrues tregon qartë qëllimet e tij të këqija. Regjimi i Teheranit ka ngelur në llucë e po zhytet gjithnjë e më shpejt. Komplotet e tij terroriste në Shqipëri, Francë, Shtetet e Bashkuara dhe Danimarkë u parandaluan në mars, qershor, gusht dhe tetor, përkatësisht. Një nga diplomatët e tij është i burgosur në Belgjikë, tre të tjerë janë përjashtuar nga Franca dhe Hollanda, dhe terroristi i arrestuar në Danimarkë është ekspozuar si mik i ngushtë i ambasadorit të mullahëve në Norvegji.

Ka patur protesta të vazhdueshme në mbarë Iranin që nga fillimi i vitit. Presidenti i mullahëve i është lutur pa sukses homologut të tij francez që t’i kufizojë veprimtaritë e Mujahedin-e Khalq (PMOI/EMK), koordinuesit të njohur të kësaj lëvizjeje, ndërsa Udhëheqësi Suprem Ali Khamenei e ka përshkruar MEK-un si këmbësorët e kryengritjes. Ndërkohë, fakti i manipulimit skandaloz të Facebook dhe Twitter nga regjimi për të çuar më tej represionin dhe censurën e tij, ka marrë dhenë.

Është ky konteksti në të cilin The Guardian del për t’i hedhur një litar shpëtimi diktaturës fetare të Teheranit. Por është kujtuar vonë; The Guardian s’ka bërë gjë tjetër veçse është ngatërruar vetë në të.

Në dy letra, më 2 tetor dhe 1 nëntor 2018, Zëdhënësi i MEK për Shtypin iu përgjigj virtualisht të gjitha gënjeshtrave e fabrikimeve në artikullin e 9 nëntorit. Këto letra i ishin dërguar redaktorit dhe personave të tjerë të rangut të lartë në The Guardian nga Anëtarë të Parlamentit, të cilëve Merat u ishte qasur. Një grimë integriteti gazetaresk të kishin patur, do t’i kishin publikuar këto letra si kundërshtim ndaj pjesës mashtruese 6,500 fjalëshe të Merat.

Sigurisht, më mirë vonë se kurrë. Nëse The Guardian dëshiron ta prezantojë veten sadopak të paanshëm, duhet ta publikojë këtë letër në botimin e radhës. Përndryshe, njerëzit mund të pyesin veten nëse ka ndonjë lidhje mes problemeve financiare të The Guardian dhe publikimit nga ana e tij të një rasti klasik gazetarie të verdhë, që është në thelb një deklaratë propagande nga regjimi iranian për të denigruar alternativën e tij legjitime.

Përshkrimi që Merat i bën komplotit të parandaluar terrorist kundër tubimit të madh të iranianëve në Paris më 30 qershor e tregon qartë natyrën e njëanshme të këtij artikulli. Ai shkruan: “Një ditë pas konferencës, MEK akuzoi Teheranin se kishte organizuar një sulm me bombë kundër eventit, në vijim të arrestimit të katër të dyshuarve – duke përfshirë një diplomat iranian pa emër – në Belgjikë, Gjermani dhe Francë. Ministri i jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif, i ka refuzuar pretendimet e përfshirjes së Iranit duke i përshkruar këto akuzime si një ‘hile e ligë me qëllim mashtrues.’”

Shtrembërimi është i qartë. Ishte Prokuroria Federale dhe Policia belge e para që nxori një deklaratë më 2 korrik, dy ditë pas ngjarjes, ku shpallte arrestimin në Belgjikë të dy terroristëve që kishin nder mend të bombardonin tubimin e Parisit. Deklarata shtonte se një diplomat iranian ishte arrestuar gjithashtu në Gjermani. Një shtrembërim kaq i dukshëm i së vërtetës ka për qëllim vetëm largimin e fajit për një masakër të mundshme madhore në një event ku merrnin pjesë 100,000 njerëz, duke i hapur kështu rrugën sulmeve të mëtejshme. Siç pati vërejtur dikur Bertolt Brecht, “Nëse nuk e di të vërtetën, je thjesht budalla. Nëse e di të vërtetën dhe e quan gënjeshtër, je kriminel.” 

Dokumentat mbi historinë e bashkëpunimit me Ministrinë iraniane të Inteligjencës nga individë të cituar nga Merat si ish-anëtarë të MEK janë publikuar në raste të shumta. Në tetor 2017, Komiteti Ndërkombëtar në Kërkim të Drejtësisë publikoi një raport të detajuar rreth këtyre figurave, ku përfshihet Batoul Soltani, e cila u largua nga Kampi Ashraf në dhjetor 2006 dhe shkoi tek forcat e SHBA-së të stacionuara në TIPF: “Gjatë kohës që qëndroi në TIPF, ajo u rekrutua gradualisht nga ministria iraniane e inteligjencës (MOIS). Soltani u transferua përfundimisht nga Iraku në Iran më 14 janar 2008 nën mbikëqyrjen e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar. Çuditërisht, vetëm 3 javë më vonë, ajo mundi të merrte një pasaportë iraniane dhe hyri në aeroportin e Bagdatit më 10 shkurt 2008. (Kopja e pasaportës së saj është postuar online) Ish Koloneli amerikan Leo McCloskey, i cili ishte Komandanti i JIATF në Ashraf në vitin 2008, ka dëshmuar më vonë për lidhjet e Soltani-t me Forcën terroriste Quds të Iranit (një degë e Gardës Revolucionare Islamike – IRGC),” shkruante raporti i ISJ.

Deklaratat absurde të agjenteve femra të regjimit, të intervistuara nga Merat, pasqyrojnë tërbimin e regjimit iranian ndaj rolit të grave të MEK në këtë përpjekje. Gratë që kam takuar në Kampin Ashraf në Irak, Shqipëri, Francë, Belgjikë, Gjermani e shumë vende të tjera, si dhe qindra prej tyre në radhët e ndryshme brenda Rezistencës, me të cilat kam folur personalisht, janë një mishërim i jashtëzakonshëm i trimërisë, patriotizmit dhe përgjegjësisë.

Në jetën time si Profesor, si Udhëheqës Partie dhe si Zëvendës President i Parlamentit Europian, nuk kam parë asnjëherë një bashkësi të tillë grash me një kohezion e dinjitet kaq të madh.

The Guardian e ka goditur pas krahëve shtypin e lirë duke i shtrirë dorën fashizmit fetar të cilin 80 milion iranianë janë të vendosur ta përmbysin. Ka sulmuar gratë militante e liri-kërkuese të Iranit me të njëjtin leksik të ndyrë që përdoret nga mullahët. Kjo është po aq e turpshme sa ç’do të ishte sikur një gazetë britanike të vepronte si zëdhënëse e Adolf Hitlerit në vitet 1930 e 1940. 

Po e mbyll duke sjellë në kujtesë fjalët e zgjuara të Mahatma Gandhi-t: “E pavërteta nuk bëhet e vërtetë për shkak të përhapjes së shumëfishuar, ashtu siç e vërteta nuk bëhet e pavërtetë sepse nuk e sheh askush.”

Alejo Vidal-Quadras ka qenë Zëvendës-president i Parlamentit Europian nga viti 1999 në 2014. Ai ishte President nderi i intergrupit Miqtë e një Irani të Lirë në Parlamentin Europian, i cili u bë qendra e fushatave pro-demokracisë në Europë në mbështetje të të drejtave njerëzore në Iran. Më përpara ka qenë profesor i fizikës atomike dhe bërthamore. Aktualisht është president i Komitetit Ndërkombëtar në Kërkim të Drejtësisë, me bazë në Bruksel (ISJ)