Thursday, March 28, 2024

Numri i Vdekjeve nga Koronavirusi në Iran Arrin në të Paktën 1,800

Iran – Teheran, përhapja e koronavirusit

Shkruar nga Sekretariati i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI) më 06 mars 2020.

Teherani i tronditur nga numri i madh i viktimave të Koronavirusit

Fshehja e së vërtetës nga regjimi në Qom e ka shndërruar Teheranin me 9.7 milion njerëz në një vend ku virusi po bën kërdinë

Fashizmi fetar që sundon Iranin, pavarësisht të gjitha mashtrimeve e gënjeshtrave, sot e pranoi me ngurrim se Teherani ka numrin më të madh të infeksioneve me Koronavirus dhe është bërë epiqendra e kësaj sëmundjeje.

Teherani është në prag të një shpërthimi të shoqërisë për shkak të viktimave. Ministria e Shëndetit shpalli sot se “Teherani po bëhet gradualisht vatra e infeksioneve dhe përhapjes së sëmundjes.”

Regjimi i mullahëve, me fshehjen e fakteve për javë të tëra në Qom dhe me mos-karantinimin e atij qyteti, i cili ka një gamë të gjerë ndërveprimesh me Teheranin, jo vetëm që mban përgjegjësi për humbjen e jetës së qindra njerëzve në Qom, por gjithashtu e ka kthyer Teheranin, qendrën urbane më të populluar të Iranit, dhe 9.7 milion banorët e tij në një zonë ku Koronavirusi po bën kërdinë. Ky është një tjetër krim i tmerrshëm kundër njerëzimit për të cilin liderët e regjimit dhe krerët e IRGC-së duhet të përballen me drejtësinë. Numri i viktimave në provincën Teheran, e cila ka një popullsi prej 14 milion, ka shkuar në mbi 400.

Mohammad Reza Najafi, një deputet në parlamentin e regjimit, i ka bërë thirrje Rouhani-t ta mbyllë në karantinë Teheranin, duke shkruar: “mos-karantinimi i qytetit Qom ka sjellë për fat të keq rezultate shkatërrimtare… Kjo çështje e rëndësishme (karantina) duket e pashmangshme edhe në Teheran për shkak të përhapjes së sëmundjes dhe pushimeve të festave që po afrohen. Nuk është e vështirë të imagjinohet se neglizhenca do të sjellë pasoja të pandreqshme.”

Organizata e Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (PMOI/MEK) ka shpallur se numri i të vdekurve për shkak të Koronavirusit deri në mbrëmjen e sotme (e premte, 6 mars) ka shkuar në mbi 1,800, sipas raporteve, mesazheve, dhe telefonatave nga bashkatdhetarë në qytete e rajone të ndryshme të vendit. Kanë vdekur një numër i konsiderueshëm bashkatdhetarësh në qytetet Teheran, Qom, Rasht, Sanandaj, Kamyaran, Agh-Qala, Ali Abad Katol, Gorgan, Khoy, Salmas, Ahvaz, Shahriar, Pakdasht, Shahreza, Isfahan, Mashhad, Quchan, Kashan, Masal, Shanderman, Rudsar, Ramsar, Lahijan, Hamedan, Khoramabad, Hashtgerd, Karaj, Shahroud, Parsian dhe Lordegan.

Stafi mjekësor i spitalit Imam Hossein në Teheran thotë se 15 deri në 20 njerëz vdesin çdo ditë në këtë spital për shkak të Koronavirusit. Në Rasht situata është katastrofike dhe të vdekurit varrosen brenda natës në varre kolektive. Në Babol, morgjet janë plot me trupa të vdekur. Udhëtimi për në provincat Gilan dhe Mazandaran është ndaluar.

IRGC ka grumbulluar maska mjekësore dhe është duke i shitur ato në tregun e zi me dhjetëfishin e çmimit, ose i kontrabandon në vende të huaja për një çmim të lartë.

Zyrtarët e regjimit janë në panik për shkak të zemërimit gjithnjë e më të madh të popullit ndaj mashtrimeve e mosveprimit të tyre përballë krizës së virusit, dhe po llomotitin për një sulm biologjik nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kreu i IRGC-së, Salami, tha më 1 mars se, “Ndoshta Koronavirusi është rezultat i një sulmi biologjik nga SHBA.” Edhe sot, Heshmatollah Falahatpisheh, anëtar i komitetit të sigurisë në parlamentin e regjimit, tha se përhapja e koronavirusit është një sulm “bioterrorist” ndaj Kinës dhe Iranit.

Vdekja e dhjetëra zyrtarëve të regjimit, të cilët kanë patur akses shumë më të mirë në kujdesin mjekësor sesa popullsia e rëndomtë, është një tregues për numrin e stërmadh të viktimave të këtij virusi. Disa nga zyrtarët e regjimit që janë raportuar të vdekur përfshijnë, Hossein Sheikholeslam, ish zëvendës ministër i jashtëm dhe një nga krerët e eksportit të terrorizmit e fondamentalizmit të regjimit; Seyed Mir-Mohammadi, anëtar i Këshillit të Ekspediencës, Mohammad Ali Ramezani, anëtar i parlamentit të regjimit, Mullah Syed Hadi Khosroshahi, ambasadori i Khomeini-t në Vatikan, Gjeneral Brigade i IRGC-së Haj Ramezan Pour-Qasem, kryetar i njësisë së inteligjencës së ushtrisë së IRGC-së, Mohammad Haj Ghasemi, përgjegjës për Basij në Teheran, Ali Khalafi, këshilltar i kryegjyqtarit, dhe Fatemeh Rahbar, anëtare e Këshillit Qendror të Partisë së Koalicionit Islamik (Motalefeh) dhe anëtare e parlamentit të regjimit në tre seanca. Gjithashtu, kreu i Bankës Qendrore të regjimit ka shpallur vdekjen e “gjashtë punonjësve të sistemit bankar të vendit” si rezultat i Koronavirusit.

Sekretariati i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI)

6 mars 2020