Tuesday, November 30, 2021

Parlamentarët Britanikë Nxisin Boris Johnson të Marrë Masa Kundër Abuzimeve të Regjimit Iranian ndaj të Drejtave Njerëzore

Shkruar nga Mohammad Sadat Khansari më 17 tetor 2019.

Të enjten, ligjvënësit britanikë i bënë thirrje qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar që të fokusohet tek të drejtat njerëzore në politikën e saj ndaj Iranit dhe ta njohë të drejtën e popullit iranian për t’i përmbysur diktatorët e tij.

Anëtarë të Parlamentit nga të gjitha partitë i kanë bërë thirrje Kryeministrit Boris Johnson që ta nxisë Organizatën e Kombeve të Bashkuara për t’i kërkuar llogari regjimit të Iranit për abuzimet ndaj të drejtave të njeriut, në veçanti për masakrën e 1988-ës ndaj 30,000 të burgosurve politikë.

Udhëheqësja e opozitës iraniane Maryam Rajavi dërgoi një mesazh në këtë event parlamentar, i cili ishte organizuar nga Komiteti Parlamentar Britanik për Lirinë e Iranit me rastin e Ditës Botërore Kundër Dënimit me Vdekje.

“Shkeljet flagrante të të drejtave njerëzore të popullit të Iranit, duke përfshirë ekzekutimet që vazhdojnë, po justifikohen nga politika e paqësimit dhe e heshtjes që ndjekin qeveritë perëndimore,” tha Maryam Rajavi.

 “Politika e paqësimit ia bën të mundur regjimit klerikal që t’i shfrytëzojë qendrat e tij diplomatike dhe ta vazhdojë terrorizmin e tij në tokën europiane, të mësyjë anije në ujërat ndërkombëtare, dhe të sulmojë komplekset e naftës në vendet fqinje,” shtoi znj. Rajavi.

Në këtë event folën gjithashtu Dr Matthew Offord MP; Bob Blackman MP; Rt Hon David Jones MP; Sir David Amess MP; Kate Hoey MP; Steve Pound MP; Steve McCabe MP; Roger Godsiff MP; Sir Martin Vickers MP; Lord Clarke i Hampstead CBE; Lord Singh i Wimbledon; Lord Maginnis i Drumglass; Tahar Boumedra, ish-Drejtor i Zyrës së OKB-së për të Drejtat Njerëzore në Irak; Jocelyn Scott, avokate australiane dhe shkrimtare e njohur e mbrojtëse e të drejtave të grave; dhe Hossein Abedini i Komitetit të Punëve të Jashtme të NCRI-së.

Në konferencë dhanë dëshmitë e tyre familjarët e anëtarëve të MEK që kanë vdekur në masakrën e 1988-ës në Iran.