Friday, March 29, 2024

Pjesë e Fjalimit të Presidentit të SHBA mbi Marrëveshjen Bërthamore të Iranit

 

Sot, dua ta përditësoj botën mbi përpjekjet tona për të parandaluar krijimin e një arme bërthamore nga Irani.

Regjimi iranian është shteti kryesor sponsorizues i terrorizmit. Ai eksporton raketa të rrezikshme, ndez konflikte në Lindjen e Mesme, dhe mbështet militantët dhe përfaqësuesit e terrorizmit si Hezbollah, Hamas, Talebanët dhe Al Qaeda.

Përgjatë viteve, Irani dhe përfaqësuesit e tij kanë bombarduar Ambasadat Amerikane dhe instalimet ushtarake, kanë vrarë me qindra anëtarë të shërbimeve amerikane, si dhe kanë rrëmbyer, burgosur, dhe torturuar qytetarë amerikanë.

Regjimi iranian ka financuar sundimin e tij të gjatë të kaosit dhe terrorit duke grabitur pasurinë e popullit të vet.

Asnjë veprim i ndërmarrë nga ky regjim nuk ka qenë më i rrezikshëm se sa aktiviteti i tij me armët bërthamore — dhe mjetet e shpërndarjes së tyre.

Në 2015, administrata e kaluar u bashkua me shtete të tjera në një marrëveshje për sa i përket programit bërthamor të Iranit. Kjo marrëveshje u quajt Plani i Përbashkët i Veprimit,  J.C.P.O.A.

Në teori, e ashtu-quajtura “Marrëveshje e Iranit” Supozohej të mbronte Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë nga çmenduria e një bombe bërthamore të Iranit, një armë që do të rrezikojë vetëm mbijetesën e Regjimit Iranian.

Në fakt, marrëveshja e lejoi Iranin të vazhdojë pasurimin e uraniumit dhe — në kohë — të arrijë pragun e një shpërthimi bërthamor.

Për këtë arsye, unë shpall sot se Shtetet e Bashkuara do të tërhiqen nga marrëveshja bërthamore e Iranit.

Pas pak çastesh, do të firmos një memorandum presidencial për të filluar rivendosjen e sanksioneve bërthamore të SHBA-së mbi regjimin iranian. Ne do të vendosim nivelin më të lartë të sanksioneve ekonomike. Çdo komb që ndihmon Iranin në rrugën e tij për armë bërthamore mund të sanksionohet gjithashtu fuqishëm nga Shtetet e Bashkuara.

Amerika nuk do të mbahet peng ndaj një shantazhi bërthamor. Ne nuk do t’i lejojmë qytetet amerikane të kërcënohen me shkatërrim. Dhe ne nuk do ta lejojmë një regjim që thërret “Vdekje Amerikës” të ketë akses tek armët më vdekjeprurëse mbi tokë.

Teksa dalim nga marrëveshja e Iranit, ne do të punojmë me aleatët tanë për të gjetur një zgjidhje të vërtetë, të plotë, dhe të qëndrueshme për kërcënimin bërthamor të Iranit. Kjo do të përfshijë përpjekjet për të eliminuar kërcënimin e programit të raketave balistike të Iranit, për të ndaluar aktivitetet e tij terroriste në mabarë botën, dhe për të bllokuar aktivitetin e tij kërcënues në Lindjen e Mesme.

Ndërkohë, sanksionet e fuqishme do të marrin efekt të plotë. Nëse regjimi i vazhdon aspiratat e tij bërthamore, do të ketë probleme më të mëdha se ç’ka patur ndonjëherë. Si përfundim, dua t’i përçj një mesazh popullit të vuajtur të Iranit.

Populli i Amerikës qëndron përkrah jush.

Kanë kaluar gati 40 vjet që kur kjo diktaturë mori pushtetin dhe mori peng një komb krenar. Shumica e 80 milion qytetarëve të Iranit fatkeqësisht nuk kanë njohur kurrë një Iran që lulëzon në paqe me fqinjtë e tij dhe frymëzon admirimin e botës.

Por e ardhmja e Iranit i përket popullit të tij. Ata janë trashëgimtarët e ligjshëm të një kulture të pasur dhe të një toke të lashtë, dhe meritojnë një komb që i çmon sa duhet ëndrrat e tyre, nderon historinë e tyre dhe lavdëron Zotin.

Liderët e Iranit natyrisht do të thonë se refuzojnë të negociojnë një marrëveshje të re. Ata refuzojnë, dhe nuk ka problem. Edhe unë do të thosha të njëjtën gjë po të isha në vendin e tyre. Por fakti është se, ata do të duan të bëjnë një marrëveshje të re dhe të qëndrueshme, një marrëveshje që i sjell dobi të gjithë Iranit dhe popullit iranian.

Kur ata ta duan këtë gjë, unë jam i gatshëm dhe i aftë. Gjëra të mëdha mund të ndodhin për Iranin. Dhe gjëra të mëdha mund të ndodhin edhe për paqen dhe stabilitetin që duam të gjithë në Lindjen e Mesme. Ka patur mjaft vuajtje, vdekje dhe shkatërrim. Tani le të mbarojë. Faleminderit. Zoti ju bekoftë. Faleminderit.