Thursday, March 28, 2024

Protestat në Iran Vazhdojnë të Shtohen

Kryengritja e vazhdueshme iraniane e mori shkëndijën e parë pasi ekonomia e këtij vendi të Lindjes së Mesme filloi të merrte tatëpjetën vitin e shkuar. Aktivistët filluan protestat e tyre anti-regjim në dhjetor 2017, ndërkohë që populli iranian ishte shtyrë drejt greminës nga rritja e çmimeve, rënia e rialit, dhe një plan buxheti që u hiqte ndihmën të varfërve e rriste shpenzimet per ushtrine.

Mohammad Hanif Jazayeri, redaktor i Free Iran – një organizatë anti-regjim, ka thënë se protestat aktuale nuk janë më për një arsye të vetme, por po e sfidojnë direkt autoritetin e regjimit.

Ai tha: “Edhe pse protestat në fillim ishin një përgjigje kundër situatës së rëndë ekonomike dhe keqmenaxhimit, thirrjet u bënë shpejt politike. Slogane si ‘lëreni Sirinë, mendoni për ne’ dënojnë strategjinë kombëtare të regjimit, ndërsa thirrjet ‘vdekje diktatorit’ sfidojnë direkt autoritetin e Udhëheqësit Suprem. Dikur një gjë e paimagjinueshme, sot thirrjet ‘vdekje Khamenei-t’, udhëheqësit dhe ‘vdekje Rouhani-t’ Presidentit, janë norma në të gjitha llojet e protestave.”

Megjithatë, Jazayeri nuk vonoi të vinte në dukje se Regjimi Iranian nuk po i mbyll sytë ndaj këtyre sfidave, por po i shtyp rëndë e dhunshëm protestuesit, gjë që ka çuar në arrestimin e mbi 8,000 personave dhe në vdekjen e të paktën 65 vetave vetëm në javët e para të protestës.

Protestuesit jo vetëm që vriten apo arrestohen gjatë tubimeve, por edhe monitorohen dhe ndiqen nga afër. Kjo do të thotë që ata mund të arrestohen disa ditë më vonë në shtëpitë e tyre.

Jazayeri theksoi se suksesi i protestave të fundit qëndron në organizimin e popullit, që fokusohet në një fushatë të përgjithshme, e jo në ngjarje të izoluara.

Ai tha: “Kjo gjë mund të shihet nga koordinimi i sloganeve që thirren nga sektorë krejt të ndryshëm të shoqërisë. Për shembull, punëtorët e çelikut në Ahvaz, në jug-përndim, investitorët e mashtruar në Rasht, në veri, si dhe infermierët e tregtarët e pazareve në Teheran, të gjithë thërrasin me slogane identike. Në muajt e fundit, Organizata Muxhahedine e Popullit të Iranit (PMOI/MEK) ka krijuar ‘njësi rezistence’ qëllimi i të cilave është të organizojnë protesta anti-qeveritare. Deri tani, ato kanë qenë shumë të suksesshme, kryesisht për shkak të mështetjes së publikut ndaj qëllimit të tyre.”