Friday, March 29, 2024

Protestat Vazhdojnë në Iran

 

Tregtarët e Pazareve në një numër qytetesh iraniane dolën në grevë më 5 nëntor, për të protestuar ndaj inflacionit dhe çmimeve të larta, të cilat po e dëmtojnë rëndë jetesën e njerëzve. Thirrjet për grevë ishin shfaqur në mediat sociale që më parë.

Në mediat sociale postohen foto dhe filmime të dyqaneve të mbyllura në Pazarin Amin në Teheran, në qendrën tregtare Aftab në Gorgan, si dhe në Tabriz, Babol, Roudsar, Saqez, dhe Baneh.

Greva e fundit e tregtarëve të pazareve u bë më 8 tetor në mbi 50 qytete të 21 provincave.

Shoferët e kamionëve

Gjithashtu në Iran, raundi i katërt i grevës së 2018-ës nga shoferët e kamionëve vazhdoi për të gjashtën ditë rresht, me shoferët që kërkojnë kushte më të mira pune, pagesë më të drejtë, dhe lirimin e menjëhershëm të të arrestuarve gjatë raundit të fundit të grevave.

Video e foto nga mbarë Irani tregojnë terminale ngarkimi të boshatisura në shumë qytete, me shoferët që refuzojnë të ngarkojnë makinat e tyre.

Agjensia shtetërore e lajmeve ILNA ka raportuar se problemet e muajve të fundit në tregun automobilistik, duke përfshirë shfaqjen e tregut të zi dhe paqëndrueshmërinë e çmimeve, kanë ndikuar më shumë tek shoferët e kamionëve dhe automjeteve të rënda. Kjo ka çuar në rënie ekonomike dhe në kushte të rrezikshme për shoferët, të cilat kanë rezultuar në përplasje më të shpeshta.

Kjo është hera e katërt brenda një periudhe gjashtë mujore që shoferët iranianë marrin pjesë në një grevë të zgjatur dhe gjatë vitit 2018, Regjimi Iranian është përgjigjur me një persekutim intensiv të shoferëve grevistë, arrestime arbitrare, dhe me kërcënimin e dënimit me vdekje.