Friday, March 29, 2024

Publikohen 13 Emra të Tjerë të Martirëve të Kryengritjes Mbarëkombëtare

Foto të disa prej martirëve të protestave të Iranit – Nëntor 2019

Regjimi në Gjendje Vigjilence të Plotë nga Frika e Përkujtimit të Martirëve

Organizata e Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (PMOI/MEK) ka publikuar emrat e 13 martirëve të tjerë të kryengritjes mbarëkombëtare të popullit iranian në nëntor, duke e çuar në 601 numrin e njerëzve të identifikuar deri tani.

Kur ka kaluar më shumë se një muaj pas kryengritjes, regjimi klerikal vazhdon me përpjekjet e tij për ta fshehur numrin e vërtetë të martirëve, të plagosurve dhe të arrestuarve. Kjo gjë reflekton alarmimin ekstrem të regjimit nga pasojat ndërkombëtare dhe të brendshme të kryerjes së një krimi madhor kundër njerëzimit.

Në një zhvillim të ngjashëm, të tmerruar nga rifillimi i kryengritjes me rastin e përkujtimit të të dyzetave të martirëve, mullahët i kanë vënë në vigjilencë të plotë forcat shtypëse në Teheran e qytete të tjera. Patrullat Sarollah të IRGC-së enden rrugëve të Teheranit me veshje civile. IRGC i ka anulluar lejet për të gjithë personelin deri në një njoftim të mëtejshëm.

Njëkohësisht, aksesi në internet është ndërprerë ose ngadalësuar në disa qytete, si Teheran dhe Karaj.

Znj. Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të veprojë urgjentisht për t’i ndalur vrasjet në Iran. Ajo tha se Këshilli i Sigurisë i Kombeve të Bashkuara duhet ta deklarojë këtë masakër, që ka vazhduar për 40 ditë, si një krim kundër njerëzimit në mënyrë që personat përgjegjës, të cilët nuk janë askush tjetër veçse Lideri Suprem i regjimit Ali Khamenei, Presidenti Hassan Rouhani, e zyrtarë të tjerë, të përballen me drejtësinë. Znj. Rajavi bëri thirrje gjithashtu për dërgimin e një delegacioni të OKB-së në Iran për ta hetuar këtë krim madhor dhe për të vizituar të arrestuarit.