Wednesday, October 20, 2021

Regjimi i Iranit Renditet i Pari për Ekzekutimet per Kapita

Regjimi i Iranit mban rekordin famëkeq si ekzekutuesi i parë në botë per kapita. Ai renditet gjithashtu i pari për numrin më të madh të ekzekutimeve të të miturve në botë. Gratë janë gjithashtu viktima të dënimit me vdekje në Iran, ku të paktën nëntë gra janë ekzekutuar vetëm në periudhën që nga mesi i qershorit.

Që kur Hassan Rouhani mori detyrën si President, regjimi i Iranit ka ekzekutuar të paktën 3,800 njerëz. Në fakt, që nga viti 1980, Rouhani, si ligjvënës, bënte thirrje që disidentët të bëheshin shembull duke u varur në publik.

Konspiratorët duhet të varen gjatë lutjeve të së premtes në mënyrë që të shihen nga njerëzit dhe të kenë një impakt më të madh,” pati thënë Rouhani në një seancë parlamentare më 13 korrik 1980.

Ekzekutimet kanë vazhduar pa u ndalur në Iran gjatë gjithë 2019-ës. Iran Human Rights Monitor (Iran-HRM) raporton se të paktën 199 njerëz janë ekzekutuar në Iran deri tani këtë vit.

Sipas Raportuesit Special të Kombeve të Bashkuara mbi situatën e të drejtave njerëzore në Iran, Javaid Rehman, autoritetet iraniane kanë varur të paktën gjashtë kundërvajtës të mitur vitin e shkuar.

Në kundërshtim me të ashtuquajturën Kartë të të Drejtave të Qytetarëve të regjimit, iranianët nuk e kanë të drejtën e jetës.

Aktualisht, mosha në të cilën lejohet ekzekutimi, sipas ligjeve drakoniane të regjimit, është nëntë vite hënore për vajzat dhe 15 vite hënore për djemtë. Në shumë raste, viktimat mbahen në burg deri sa të arrijnë moshën 18 vjeçare dhe më pas ekzekutohen.

Dënimi me vdekje me në shënjestër opozitën iraniane MEK

Që nga viti 1981, regjimi i Iranit ka ekzekutuar rreth 120,000 kundërshtarë, kryesisht aktivistë të grupit kryesor të opozitës iraniane, Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (PMOI), e njohur ndryshe si Mujahedin-e Khalq (MEK).

Në 1988-ën, rreth 30000 të burgosur politikë, kryesisht të lidhur me MEK, u ekzekutuan në mënyrë arbitrare brenda pak muajsh, sipas një fatwa të nxjerrë nga Khomeini.

Në mbarë vendin u krijuan Komisione të Vdekjes të cilat i dërgonin në trekëmbësh të burgosurit që refuzonin të hiqnin dorë nga MEK. Viktimat varroseshin në varre masive.

MEK ka publikuar mbi 5.000 emra të të masakruarve. 

Autorët e këtij krimi kundër njerëzimit vazhdojnë ta drejtojnë vendin në pandëshkueshmëri.

Më herët këtë vit, Lideri Suprem i regjimit iranian caktoi Ebrahim Raisi-n, një anëtar i Komisionit të Vdekjes të Teheranit, si Kryegjyqtar të vendit. Dhe në 2018-ën, Rouhani caktoi Alireza Avaei-n, një anëtar i Komisionit të Vdekjes në Dezful, si Ministër Drejtësie të Iranit.

Më 28 gusht 2019, Amnesty International përsëriti thirrjen e saj ndaj Kombeve të Bashkuara për të nisur një hetim të pavarur mbi masakrën e 1988-ës ndaj mijëra të burgosurve politikë në Iran. Një numër i madh dëshmish lidhur me masakrën janë të disponueshme publikisht.

E ndjera Asma Jahangir, që ka qenë Raportuese Speciale e OKB-së mbi Iranin, pati tërhequr vëmendjen drejt masakrës së 1988-ës në raportin e saj për Asemblenë e Përgjithshme të OKB-së më 25 tetor 2017: “Familjet e viktimave kanë të drejtën për kompensim dhe për të ditur të vërtetën e këtyre ngjarjeve dhe fatin e viktimave pa rrezikuar të ndëshkohen. Prandaj, unë e përsëris thirrjen time ndaj Qeverisë që të garantojë kryerjen e një hetimi të plotë e të pavarur mbi këto ngjarje.”

Iran HRM publikoi një raport të përditësuar lidhur me masakrën më 8 tetor 2019. Ky raport konkludon se ka ardhur koha që komuniteti ndërkombeëtar ta thyejë heshtjen e tij 30-vjeçare lidhur me masakrën e 1988-ës dhe t’u japë fund tre dekadave të pandëshkueshmërisë për liderët e regjimit klerikal në Iran.

Udhëheqësja e opozitës iraniane Maryam Rajavi e ka përmbledhur vizionin e NCRI-së për një Iran të lirë të së ardhmes pa dënimin me vdekje.

“Plani ynë për të ardhmen është një Iran pa dënimin me vdekje dhe pa torturë. Plani ynë është t’i japim fund torturës dhe të gjitha formave të abuzimit të të drejtave njerëzore në Iran,” thotë Maryam Rajavi.

Rezistenca Iraniane ka deklaruar vite më parë se bën thirrje për heqjen e dënimit me vdekje dhe për t’i dhënë fund torturës dhe të gjitha formave të abuzimeve ndaj të drejtave në Iran.

“Plani ynë për të ardhmen është t’u japim fund dekreteve fetare të mullahëve. Ne e refuzojmë kodin çnjerëzor penal dhe ligjet e tjera abuzive të këtij regjimi. Ne besojmë se Shpagimi është një ligj çnjerëzor,” shton znj. Rajavi.

“Plani ynë është të themelojmë një drejtësi të pavarur, dinamike dhe të lirë.”

“Plani ynë është të mbrojmë vlerat demokratike, lirinë, barazinë dhe paprekshmërinë e jetës private të çdo qytetari.”

“Plani ynë për të ardhmen e Iranit është që askujt të mos i mohohen liritë e veta, dhe e drejta e jetës për shkak se kanë apo nuk kanë besim tek një fe e caktuar apo sepse e braktisin atë.”

“Plani ynë është që të gjithë qytetarët të gëzojnë sigurinë e vërtetë dhe të drejta të barabarta përpara ligjit.”

“Ne kërkojmë një rend të ri bazuar në liri, demokraci dhe barazi,” shtoi ajo.