Friday, May 27, 2022

Regjimi Iranian Dënon një Tjetër Aktivist të të Drejtave të Mësuesve me Kamxhik dhe Burg

Drejtësia e regjimit iranian ka dënuar një mësues me tetë muaj burg dhe 10 goditje me kamxhik për pjesëmarrje në një demonstratë të zhvilluar nga mësues e punonjës të arsimit më herët këtë vit.

Të hënën më 19 gusht 2019, një gjykatë dënoi Mohammad Taghi Falahi, sekretar i përgjithshëm i Shoqatës së Profesionit të Mësuesve të Teheranit, me tetë muaj burg dhe 10 goditje me kamxhik për akuzën e prishjes së rendit publik, raportoi të mërkurën grupi i të drejtave njerëzore Monitoruesi i të Drejtave Njerëzore në Iran (Iran HRM).

Forcat e sigurisë të regjimit iranian e arrestuan Falahi-n më 2 maj (në Ditën e Mësuesve në Iran) në një tubim paqësor përpara Ministrisë së Arsimit në Teheran.

Janë arrestuar edhe disa njerëz të tjerë në tubimet e 2 majit që u mbajtën përpara zyrave vendore të departamentit të arsimit në qytete të ndryshme iraniane.

Këshilli i Unioneve të Mësuesve kishte nxjerrë më përpara një deklaratë ku u kërkonte mësuesve të zhvillonin tubime për kërkesat e tyre dhe si protestë ndaj mungesës së përgjigjes nga regjimi.

Forcat e sigurisë morën masa shtypëse mbi disa prej këtyre demonstratave dhe arrestuan shumë protestues, duke përfshirë aktivistin e të drejtave të mësuesve Rassoul Bodaghi, i cili ka qenë i burgosur më përpara, dhe dy anëtarë të Shoqatës së Profesionit të Mësuesve Iranianë (ITTA), Mohammad Fallahi dhe Mojtaba Ghoreishian.

Mësuesit aktivistë persekutohen sistematikisht nga regjimi iranian. Ata arrestohen dhe dënohen me vite të gjata burg.

Hamidreza Rahmati, anëtar i Shoqatës së Mësuesve të Isfahanit, është dënuar së fundmi me 18 muaj burg dhe 74 goditje në publik me akuzën e “prishjes së rendit publik duke kryer një akt jo-normal jashtë ndërtesës së Departamentit të Arsimit”. Ai u dënua me 18 muaj të tjerë burg dhe me një gjobë prej 20 milion rial (rreth $600) supozimisht për “dërgimin e mesazheve që nxisnin dhunën në mediat sociale.”