Tuesday, November 30, 2021

Regjimi Iranian Shpall se Do Ta Pasurojë Uraniumin ‘në Çfarëdo Niveli’

Shkruar nga Shahriar Kia 

Regjimi iranian tha të dielën se është plotësisht i përgatitur për ta pasuruar uraniumin në çfarëdo niveli dhe me çfarëdo sasie, duke e shkelur më tej paktin e tij bërthamor të 2015-ës me fuqitë botërore.

Në një konferencë për shtyp të transmetuar live, zyrtarë të lartë të regjimit thanë se Teherani do të vazhdojë t’i reduktojë angazhimet e tij çdo 60 ditë deri sa nënshkruesit e paktit të veprojnë për ta mbrojtur regjimin nga sanksionet amerikane.

“Brenda pak orësh, procesi teknik do të marrë fund dhe do të nisë pasurimi përtej 3.67%,” tha Behrouz Kamalvandi, zëdhënësi për Organizatën e Energjisë Atomike të Iranit.

“Dhe nesër në mëngjes herët, kur IAEA (organizata rojtare bërthamore e OKB-së) të marrë kampionin, ne do të kemi shkuar përtej 3.67%.”

Nën kushtet e paktit, regjimi iranian lejohej ta pasuronte uraniumin deri në 3.67% material të zbërthyeshëm, një shifër shumë më poshtë 20 përqindëshit të cilin e arrinte përpara paktit dhe afërsisht 90 përqindëshit që nevojitet për një armë bërthamore.

Kamalvandi tha se regjimi i Iranit do ta pasuronte uraniumin për ta përdorur për centralin elektrik në Bushehr, deri në nivelin 5%, duke konfirmuar kështu atë që Reuters raportoi të shtunën.

“Jemi plotësisht të përgatitur për ta pasuruar uraniumin në çfarëdo niveli dhe me çfarëdo sasie,” tha ai.

Në konferencën për shtyp në Teheran, Abbas Araqchi, negociuesi i lartë bërthamor i regjimit, tha se vendet europiane janë “përgjegjëse” për shkeljet e paktit bërthamor nga ana e regjimit.

“Dyert e diplomacisë janë të hapura por të rëndësishme janë iniciativat e reja që kërkohen,” tha ai.

Bazuar pjesërisht në raporte lajmesh