Friday, March 29, 2024

Regjimi Iranian Sulmon Objektet e Naftës në Arabinë Saudite

Regjimi i Iranit është përgjegjës për një sulm mbi objektet e naftës të Arabisë Saudite gjatë fundjavës, sulm i cili ndërpreu ofertën globale të energjisë dhe përgjysmoi prodhimin e naftës në mbretëri.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump tha të dielën se Uashingtoni është “plotësisht i përgatitur” për një përgjigje të mundshme ndaj sulmit, pasi një zyrtar i lartë i administratës amerikane tha se fajin e kishte regjimi iranian. SHBA ka nxjerrë gjithashtu prova të reja për të mbështetur pretendimin e saj se regjimi i Iranit është përgjegjës për sulmin.

Presidenti Trump tha se SHBA ka arsye të besojë se e di kush qëndron prapa këtij sulmi — Sekretari i Shtetit e kishte fajësuar regjimin e Iranit një ditë më parë — dhe i siguroi ndjekësit e tij në Twitter se “jemi … plotësisht të përgatitur” në varësi të verifikimit dhe po presim të dëgjojmë nga sauditët se kush besojnë ata të jetë prapa këtij sulmi dhe se “në çfarë kushtesh do të procedojmë!”

Këto postime erdhën pas një mbledhjeje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, ku morën pjesë Zëvendës-Presidenti Mike Pence, Sekretari i Shtetit Mike Pompeo dhe Sekretari i Mbrojtjes Mark Esper.

Sekretari Pompeo e ka fajësuar direkt regjimin iranian për sulmin mbi sauditët në Tëitter mbrëmjen e së shtunës.

Ndërkohë, një komandant i Korpusit terrorist të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) të regjimit ka përsëritur se forcat e tij mund t’i sulmonin bazat ushtarake të SHBA-së në Lindjen e Mesme me arsenalin e tyre të raketave balistike.

Qeveria amerikane ka publikuar foto satelitore që tregojnë, sipas zyrtarëve, të paktën 19 pika impakti në dy objekte saudite të energjisë, duke përfshirë dëme në zemër të uzinës kryesore të mbretërisë për procesimin e naftës në Abqaiq. Zyrtarët thonë se impaktet e treguara në foto përputhen me faktin që sulmi ka ardhur nga drejtimi i Iranit apo Irakut, e jo nga Jemeni në jug.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres i ka dënuar sulmet e së shtunës dhe u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të vetëpërmbahen dhe ta parandalojnë përshkallëzimin.

Bashkimi Europian ka paralajmëruar që këto sulme paraqesin një kërcënim real ndaj sigurisë rajonale, dhe disa shtetet bënë thirrje për vetëpërmbajtje.

Bazuar pjesërisht në raporte lajmesh